Bisedimet, ekipi negociator dhe presidenti Thaçi mbajnë qëndrime të ndryshme

schedule13:18 - 17 Dhjetor, 2018

schedule 13:18 - 17 Dhjetor, 2018

Ekipi negociator që ka marrë tashmë miratimin e parlamentit të Kosovës për të drejtuar bisedimet në Bruksel përballë Serbisë, nuk zbeh aspak rolin e presidentit Thaçi në këtë tryezë. Analistët kosovarë shprehen se pavarësisht qëndrimeve të kundërta të dy palëve nuk pritet të ndodhë asgjë e re.

Pavarësisht se deputetët e partive në pushtet në Kosovë dhe ata të Partisë Socialdemokrate të shtunën votuan rezolutën dhe ekipin negociator për dialogun me Serbinë, një gjë e tillë nuk pritet të zbehë rolin e presidentit Hashim Thaçi në këtë process. Në një analizë të së përditshmes kosovare “Zëri”, shkruhet se monitoruesit e procesit të dialogut, janë të mendimit se kreu i shtetit do të vazhdojë t’i udhëheqë negociatat me Serbinë sipas mandatit kushtetues. Megjithatë, përfaqësuesit e partive që janë pjesë e delegacionit konsiderojnë se roli i ekipit do të jetë shumë i rëndësishëm në bisedimet me Serbinë.

Madje ata janë shprehur të vendosur se rezoluta e miratuar do të ruajë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës pavarësisht pretendimeve të kreut të shtetit për korrigjim të kufijve. Por njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se pikërisht ideja e korrigjimit do të bëhet shkak i përplasjes dhe përçarjeve në mes ekipit negociator dhe presidentit.

Ndërkohë, edhe pse partia socialdemokrate tashmë është bërë pjesë e delegacionit, dy partitë e tjera opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës e Lëvizja Vetëvendosje kanë kritikuar ashpër këtë veprim, duke theksuar se një përfshirje e tillë nuk garanton zgjidhje./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!