Teuta u afrua në vetëm 4 pikë me kreun e Superligës pas fitores së thellë me Kastriotin. Durrsakët treguan përsëri se janë ndër më të mirët e kampionatit.
Mund të ishte në krye të renditjes së fitoreve më të lehta. Kastrioti është kthyer në një tabelë qitjeje në Superligën shqiptare, me 8 gola të pësuar në dy ndeshjet e fundit. Pas Tiranës, katër herë i shënoi edhe Teuta, madje në atë që quhet fusha e krutanëve, stadiumi “Redi Maloku” i Fushë-Krujës.
Nuk pati asnjë çudi për rezultatin 4-0, pasi epërsia e durrsakëve ishte e plotë, madje ata mund t’i kishin shënuar golat më herët, veçse habi ishte shthurja e Kastriotit në minutat e shtesës, kur pësoi dy herë. I dalluari Sherif Kallaku ishte autor i golit të parë, ndërsa pas pushimit shënuan Progni, Latif dhe Vecaj.
Gjithçka e merituar për Teutën, që e vazhdoi aty ku e la ndaj Partizanit, me ndeshjen shumë të mirë që u luajt në Durrës dhe që përfundoi në barazim. Edhe pse ka ndodhur që është ndihmuar nga arbitri, siç ndodhi me Tiranën, sërish skuadra e trajnerit Bledi Shkëmbi është një nga më të mirat e këtij sezoni të Superligës, madje ajo që ka shënuar më shumë se të gjithë, plot 23 gola.
Gjithsesi, ndryshimi i madh në vetëm pak muaj, në krahasim me sezonin e kaluar, tregon sesa pak cilësi ka kampionati shqiptar, ku mjafton një projekt me fare pak kohë, për të pretenduar Europën, madje edhe titullin. Teuta ka 32 pikë pas 17 javësh, vetëm 4 pikë larg Partizanit kryesues, pra për të, çdo objektiv është i mundshëm./abcnews.al