Ra në krye të detyrës, qeveria i jep 5 milionë lekë familjes së efektivit që u ekzekutua

schedule19:30 - 29 Shtator, 2021

schedule 19:30 - 29 Shtator, 2021

Qeveria ka miratuar në mbledhjen e sotme një ndihmë me vlerë 5 milionë lekë për familjen e n/komisariat Saimir Hoxha që ra në krye të detyrës paraditen e djeshme në Lezhë, ku u ekzekutua nga 21-vjeçari Aldi Rama.

Vendimi mban firmën e kryeministrit Edi Rama. Shuma do të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.

“Dëshmori i Atdheut” Saimir Hoxha u përcoll sot në banesën e fundit nga familja, kolegët, miq e të afërm. Të pranishëm ishin edhe drejtuesit më të lartë të shtetit e deputetë, të cilët i shprehën ngushëllimet familjarëve të 44-vjeçarit, që ra dëshmor në krye të detyrës.

I shoqëruar nga ministri i Brendshëm Bledi Çuçi, kryeministri Edi Rama tha se fëmijët e nënkomisarit do të marrin 170% të pagës së babait të tyre deri kur të mbushin moshën madhore.

Presidenti Ilir Meta i akordoi nënkomisarit “Dekoratën e Artë të Shqiponjës” për kontributin që ai i dha Policisë së Shtetit. Trupi i dëshmorit të 225 të Atdheut, u preh në varrezat e dëshmorëve.

VENDIMI I PLOTE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Dhënien e ndihmës financiare, prej 5 000 000 (pesë milionë) lekësh, familjes së Nënkomisarit Saimir Bilal Hoxha, ish-punonjës policie në Komisariatin e Policisë Lezhë, në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, i vrarë në krye të detyrës.

2. Ky fond të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.

3. Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

/ db/Abcnews.al