Altin Basha, i ftuar këtë të mërkurë në emisionin “ABC-ja e mëngjesit”, foli gjerë e gjatë për rrugëtimin e Kosheres si një spektakël i ri humori. Ndër të tjera, regjisori i njohur bëri dhe një koment për të gjithë spektaklet e tjera konkurrente dhe kritikët e tij. “Përtej çdo lloj konkurrence, papëlqyeshmërie ndaj të tjerëve unë them: Respekte.“, tha mes të tjerash ai.
“Është një gjë e rëndësishme për të thënë që për të gjithë emisionet e humorit, njerëzit e teatrit në përgjithësi, kanë respektin maksimal përtej problemeve që mund të kem pasur. Jam një njeri, jo vetëm një drejtues emisioni. Janë njerëz që bëjnë sakrifica të jashtëzakonshme, provojnë të kthejnë buzëqeshjen e spektatorëve në kushtet e një krize.
Në këtë kuptim puna e tyre meriton respekt. Nga ana tjetër, është një krijimtari specifike që kërkon një shkëputje nga problemet personale për të krijuar diçka speciale për të tjerët. Përtej çdo lloj konkurrence, papëlqyeshmërie ndaj të tjerëve unë them: Respekte. Nuk do të dëgjonin asnjë koment negativ nga unë për këtë grup artistësh.
Jam i dashuruar me profesionin dhe vetëm në këtë mënyrë shfaqet dëshira ime në nivele profesionale. Preferoj të sillem si një njeri amator në këtë zanat. Kur më thonë se jam amator realisht e marr me shumë vlerësim.“, tha Altini. /abcnews.al