21 vjeçari që vrau me armë zjarri oficerin e Krimeve, Saimir Hoxha në Lezhë, ka ndërruar jetë mëngjesin e kësaj të mërkure në spitalin e Traumës në Tiranë.
Gjatë operacionit të RENEA-s për arrestimin e tij, Aldi Rama ka qëlluar veten me pistoletë në lagunën e Kune-Vainit, ku nuk ka arritur që të mbijetojë.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur një ditë më parë në Kune-Vain në Lezhë ku pesë policë shkuan për të asgjesuar një parcelë me 110 bimë kanabisi. Në kthim ata u ndeshën me një automjet të ndaluar në të cilin gjendeshin tre të rinj brenda.
LEXO EDHE: EMRI/ Po kontrollonte terrenin për drogë, efektivi në Lezhë vritet me armë zjarri, reagon policia
Oficeri që u vra Saimir Hoxha i kërkoi dokumentet 21-vjeçarit Aldi Rama, por ky i fundit refuzoi dhe e qëlloi me plumba në qafë e gjoks.
Polici ndërroi jetë rrugës për në spital, kurse Rama mori automjetin dhe u largua me shpejtësi duke rrezikuar edhe jetën edhe të dy kolegëve të tjerë të Hoxhës. Ata e qëlluan nga mbrapa duke u çarë një gomë të automjetit dhe ai u detyrua ta braktisë duke u fshehur në një zonë me bimësi për disa orë derisa vendosi të qëllojë veten, duke humbur jetën mëngjesin e kësaj të mërkure.
Aldi Rama, i rritur nga gjyshërit, pasi prindërit i kishte të divorcuar, ishte me precedent të mëparshëm penal. Në moshën 18-vjeçare kishte përfunduar në burg, pasi ishte akuzuar për vjedhje dhe posedim kanabisi, ndërkohë që ishte kallëzuar edhe nga e dashura e tij për dhunë fizike. Edhe në vitin 2020 ai është ndaluar sërish për mbajtje pa leje e armëve të ftohta.
Njoftimi i policisë
Në vijim të veprimeve të kryera nga grupi i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë Lezhë, për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes ku mbeti i vrarë punonjësi i Policisë S. H., në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve A. M., 26 vjeç dhe K. Sh., 27 vjeç, banues në Lezhë.
Ndërkohë, rreth orës 05:35 të mëngjesit të sotëm, ka ndërruar jetë në Spitalin e Traumës në Tiranë, autori i ngjarjes, shtetasi Aldi Rama.
Ekspertët mjeko-ligjorë, në prezencë të grupit hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, po kryejnë autopsinë dhe gjithë veprimet e tjera ligjore.
Grupi i posaçëm hetimor vijon punën për dokumentimin e plotë të ngjarjes.e.su./abcnews.al