Nuk tentoi të vetëvritej? Ekzekutimi i policit në Lezhë, Artan Hoxha tregon si u plagos autori: Mori një plumb në ballë

schedule19:41 - 28 Shtator, 2021

schedule 19:41 - 28 Shtator, 2021

Lezha u trondit sot nga vrasja e Oficerit të policisë Kriminale, Saimir Hoxha, nga 21-vjeçari Aldi Rama. I ftuar në “Radarin Informativ”, gazetari investigativ Artan Hoxha ka dhënë detaje të reja rreth kësaj ngjarje të rëndë ku ka shpjeguar edhe të gjithë dinamikën e vrasjes.

Fillimisht u raportua se 21-vjeçari Aldi Rama pasi e pa të pamundur arratisjen nga policia që e kishte rrethuar, tentoi t’i japë fund jetës duke qëlluar veten por mbeti i plagosur rëndë. Lidhur me këtë veprim gazetari Artan Hoxha tregon se i riu, ekziston mundësia që të ketë qëlluar aksidentalisht mbi veten dhe për pasojë ka mbetur i plagosur rëndë.

Sipas Artan Hoxhës, në vendin e ngjarjes pranë trupit të 21-vjeçari janë gjetur gjurmë rrëshqitje, çka do të thotë se Aldi Rama në tentativë për tu larguar ka rrëshqitur dhe për pasojë ka marrë një plumb në zonën e ballit.

Mësohet se RENEA ka hedhur shpesh herë granata çorientuese për të bërë të mundur lokalizimin e të riut. Në këto momente një Snajper i RENEA-s ka identifikuar Aldi Ramën dhe e ka mbajtur nënë vëzhgim. Duke qenë nën trysnin e rrethimit nga policia, Aldi Rama ka qëlluar me armë një herë ndërsa më pas ka lëvizur nga vendi ku ishte fshehur. Gjatë kësaj lëvizje ai ka rrëshqitur në buzë të një kanali dhe për pasojë arma është shkrehur duke i shkaktuar plagën anash ballit. Ndër të tjera gazetari Artan Hoxha raporton se i riu Aldi Rama duhet të ishte në shtëpi pasi ishte nën efektin e masës së sigurisë “arrest shtëpie” që e kishte marrë në muajin Maj.

“Policia ka bërë mbylljen e zonës dhe Aldo Ramës. Njëri e ka pa parë dhe e ka identifikua, një Snajperi sipër banesës e ka parë. Kanë qenë dy njësi të RENEA-s në zonë me 4 grupe. Dhe kur është parë aty autori që ka tentuar të fshihej, RENEA ka pastruar disa objekte që të mos futej aty dhe të rezistojë. Janë granata të RENEA-s që ka efekte hutues por nuk të dëmton. RENEA i hodhi në disa ambiente për ta nxjerrë. Kur snajper e dalloi ai ka tentuar të kalojë kanalin.  Autori ka qëlluar një herë me pistoletë TT, në ajër. Në të shtënën e dytë ka rrëshqitur dhe ka ngelur në kanal.  Shenjat e rrëshqitjes kanë qenë, i ka parë policia shenjat. Ka marrë një plumb ne cepin e ballit.  Në bazë të të dhënave paraprake, aty ku e ka marrë plumbin në pjesën e ballit. Nuk është zonë kur personat bëjnë vetëvrasje. Vetëvrasjet bëhen ose poshtë mjekrës ose anash. Ideja është që të godasësh të vdesësh direkt jo të vuash. Por vendi i të shtënës tek ai, e ka në një pozicion tjetër, pra një rast jo i zakonshëm i vetëvrasjes. Nuk e kanë ditur se ka ngelur në kanal. Mund të ketë qëndruar edhe mbi 30 minuta i plagosur. E kanë gjetur të plagosur pa ndjenja.” tha Hoxha.

Po ashtu gazetari Hoxha ka treguar edhe dinamikën e ngjarjes. Fillimisht një grup efektivësh nga policia kriminalistike e Lezhës kishin lokalizuar një parcelë me kanabis dhe herët në mëngjesin e kishin asgjësuar ku në të ishin 110 rrënjë kanabisi. Pasi kanë mbyllur këtë mision, në rrugën e kthimit, efektivët kanë pikasur një makinë të dyshimtë që lëvizte në zonë. Kjo makinë është ndaluar për verifikim. Në  të kanë qenë dy persona (pasagjeri dhe shoferi) si dhe Aldi Rama i cili ishte ulur në pjesën e pasme të mjetit. Në momentin që efektivët kanë filluar identifikimin u është kërkuar dy personave që ishin në pjesën e përparme të makinës që të dalin jashtë urdhër ky që është zbatuar nga këta persona. Ndërkohë kur efektivi Saimir Hoxha i është afruar pjesës së pasme të makinës, i riu Aldi Rama ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar me një plumb në zemër duke e lënë të vdekur. Më pas Aldi Rama ka përfituar nga situata dhe ka arritur të marrë makinën me të cilën udhëtonte dhe është larguar për disa kilometra për në lagunën ku edhe u fsheh për disa orë. Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur grupet e RENEA-s të cilët kanë rrethuar autorin e vrasjes së efektivit të policisë. I gjendur në këtë situatë, Aldi Rama ka qëlluar një herë me pistoletë dhe më pas ka tentuar që të lëviz por është rrëzuar e për pasojë ka marrë një plumb në pjesën e ballit. Ai është transportuar fillimisht në spitalin e Lezhës por më pas për shkak të gjendjes kritike është dërguar në Tiranë ku edhe i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale.  /abcnews.al/