PD, partia e të larguarve, analistët debat për “rrjedhjet” e demokratëve

schedule14:55 - 28 Shtator, 2021

schedule 14:55 - 28 Shtator, 2021

Ish-kandidati për kryetar i Partisë Demokratike, Fatbardh Kadilli ka prezantuar lëvizjen e tij politike që sipas tij, synon ringritjen e PD si një parti opozitare, duke krijuar kështu grupimin më të ri brenda të djathtës.

Por ky rast është vetëm i fundit në radhë. Në më tepër se 30 vjet që nga themelimi i saj, Partia Demokratike e Shqipërisë numëron më shumë se çdo parti tjetër politike grupime të pakënaqurish që janë larguar dukeformuar parti të reja.

Por sa përçahet Partia Demokratike edhe me këtë lëvizje të fundit?

Për të folur në lidhje me këtë temë, të ftuar në ABC Live me gazetaren Juli Xhokaxhi ishin të ftuar: Fahri Balliu, botues-analist; Frrok Cupi analist, Aleksandër Çipa analist, Lisandër Hoxha Ish-nënkryetari i Forumit Rinor në PD, të cilët shprehën mendime të kundërta .

Pjesë nga biseda:

Fahri Balliu: Nuk duhen parë si një përcarje por si një fluks i fuqishëm frymëzimi për të gjetur dhe rigjetur vetveten. Mendoj se gjithkush ka të drejtë të mendojë dhe gjeneriojë ide të cilat ai/ata mendojnë se sjellin bashkim në PD. Lëvizja e Berishës është strategjia reale e shpëtimit dhe daljes nga kaosi aktual.

Frrok Çupi: Partitë janë si bletyët, dalin të reja, mbyten të tjera. PD i largohen vashdimisht anëtarët, grupimet. Në një shoqëri që është e lirë, këto parti të vogla nuk gjejnë dot veten, nuk prosperojnë. Disa prej tyre janë larguar kur PD e sundonte Berisha, të tjera më pas. Lëvizjen e re s’ka të drejtë askush ta paragjykojë. Dua të shpreh vlerësimin për pikpamjet e qarta politike të Z. Kadilli, një aktivist i vjetër në PD. Kjo parti nuk e ka shansin të përtërijë parti të tjera. Kjo parti ndodhet në krizën më të rëndë, jo vetëm të saj por në krizën më të rëndë që ka përjetuar politika shqiptare, nga një kohë kur ajo vetë ndërroi atmosferë. Është një godinë e helmuar dhe e inkriminuar tërësisht, nuk e kuptoj si rri në këmbë.

Aleksandër Çipa: Këto janë lëvizje të vektorëve të brendshëm që nuk dalin nga statuti i partisë. Doktrina e debatit të brendshëm duhet të shkëputet nga tendenca për të riemëruar një drejtues të ri apo për të zgjedhur në mënyrë ekuivalente një drejtues të ri, kur them ekuivalente, e kam fjalën për grupet nga rrymat e brendshme. Duhet trajtuar me largpamësi.

Lisandër Hoxha: PD nuk ka asnjë përcarje, është vetëm Lulzim Basha dhe një staf shumë i vogël pranë tij kundër gjithë Partisë Demokratike. Veprimin e Kadillit e shoh si manifest politik, luftë për ide të veta politike të cilat kërkojnë ta ndjekin demokratët. Secili ka të drejtën që të paraqesë cdo lloj propozimi që mendohet se e con partinë përpara, mendoj se këto i bëjnë mirë PD. Lulzim Basha fshihet pas logos së PD dhe bën si kryetar, nuk e shoqëron askush. Berisha për demokratët është vetë logo e PD. Personalisht po e shoqëroj në çdo vend Z. Berisha, dhe kam garanci të plotë nga të rinjtë e të rejat që vijnë dhe shoh që kanë shpresë. Është i vetmi që ka staturën për të na bërë bashkë.

Përpos diskutimeve mes të ftuarve, pati edhe debate. Ish-nënkryetari i Forumit Rinor në PD, Lisandër Hoxha ka kundërshtuar bindjet e analistit Frrok Çupi.

Debati:

Frrok Çupi: Ndodhemi në një situatë kur duhet të shikojmë një realitet. SHBA-të kanë identifikuar krim në shqipëri të kryer prej liderit kryesor të Partisë Demokratike. Është hapur tashmë një prej dritareve më të vogla të një krimi të madh, që quhet Gërdec. Jam i sigurtë se do të happen të gjitha dritaret e tjera. Ne jemi në pritje për të parë se çfarë do ndodhë….

Lisandër Hoxha: Le të hapet çdo dosje. Të sjellë provat, kush ka prova. Kjo nuk e cënon Partinë Demokratike, dhe nuk e pengon që të largojë pengun e Edi Ramës, e tu kthejë partinë të rinjve dhe të rejave.

Frrok Çupi: Si merrni përsipër të flisni në emër të popullit shqiptar? Çfarë komunistësh jeni? Populli shqiptarë e neverit Sali Berishën dhe ju të gjithë që e mbroni. Po presin orë e çast që ta shohin pas hekurave.

Lisandër Hoxha: Po ju si flisni në emër të popullit shqiptar? Kush ju dëgjon ju?

Zhvillimet e kohëve të fundit, lëvizja antiBasha e ish-kryetarit historik Sali Berisha dhe Partia më e re formuar nga Fatbardh Kadilli, po trumbetojnë se po luftojnë për një Parti Demokratike më të fortë dhe fituese.

Në fakt kjo ka qenë deviza e të gjitha partive të vogla që janë shkëputur në 30 vite nga Partia Demokratike. Thënë të vërtetën forca e tyre ka qenë përgjithësisht e papërfillshme. /abcnews.al/