Zbardhet dinamika e vrasjes së Saimir Hoxhës, oficerit të krimeve paraditen e sotme në zonën e Vain në Lezhë. Burime bëjnë me dije për ABC se kanë qenë 5 efektivë policie që kanë ndaluar një automjet të panjohur me targa të vjedhura për verifikim në të cilin dyshohet se ishin tre persona.
Kur automjeti në të cilin ndodheshin 3 persona, është afruar pranë tyre ata i kanë bërë shenjë që të ndalojnë. Në momentin kur është afruar, pasagjeri në sediljen e pasme që dyshohet të ketë qenë Aldi Rama 21-vjeç ka qëlluar në drejtim të Saimir Hoxhës i cili nuk ka qenë i pajisur me anti-plumb, nga një distancë e afërt, duke e lënë të plagosur.
Ai është dërguar për në spital por nuk ka arritur të mbijetojë pasi plumbi i ka kapur zemrën. Hoxha bashkë me kolegët e tyre ndodheshin në zonë për të kontrolluar territorin pasi kishin informacione se në lagunën kultivohej lëndë narkotike.
Pasi ka qëlluar në drejtim të policit, Rama është larguar me automjet për disa metra duke e braktisur pranë një biznesi në zonën e Lagunës. Policia tashmë ka nisur krehjen e zonës pasi ka dyshime se i riu nuk është larguar shumë nga zona. Kërkimet po vijojnë edhe me helikopterë nga ajri.
Samir Hoxha baba i dy fëmijëve ishte nga Puka dhe prej vitesh punonte si efektiv policie në Lezhë dhe në Shëngjin.
Kush është Aldi Rama
Aldi Rama vetëm 21-vjeç ka qenë i ndaluar në vitin 2018 për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike dhe për mbajtjen e armëve të ftohta. 2 vite më parë Rama është dënuar me pesë vite burg. Për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi i tij është shkurtuar me 1/3, dhe i është konvertuar me shërbim prove.
m.v/abcnews.al