Aventura me ashensorët, oktapodi që ka kapur gjithçka, por vetëm siguri nuk jep: Si po rrezikohet çdo ditë jeta e qytetarëve

schedule17:06 - 23 Shtator, 2021

schedule 17:06 - 23 Shtator, 2021

Hipja në ashensor është kthyer në një aventurë të rrezikshme për mijëra qytetarë në Shqipëri. Rregulli e do që ashensorët të inspektohen në mënyrë periodike nga kompani të specializuara në këtë fushë, por siç ndodhi pak ditë më parë në Tiranë, kompanitë përgjegjëse janë aty vetëm për të marrë paratë duke i lënë qytetarët në mëshirë të fatit.

Rënia e ashensorit pak ditë më parë në një pallat tetë katësh në Tiranë, la dy të plagosur (LINK), ku mes tyre ishte edhe një grua shtatëzënë.

Administratorët e pallateve janë të detyruar që të lidhin kontrata për mirëmbajtjen periodike të ashensoreve dhe inspektimin e tyre me kompani të specializuara, por nisur nga ajo që vërehet si edhe aksidentet e shtuara gjatë muajve të fundit, duket se gjithçka bëhet vetëm në letra, ndërsa realiteti është krejt tjetër.

Çfarë ndodh me inspektimin e sigurisë te ashensorët?

Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut ka licencuar tre kompani(LINK) për inspektimin e sigurisë së ashensorëve.  Janë pikërisht këto kompani që kanë përgjegjësinë për sigurinë e jetës së qytetarëve që hipin në ashensore.

Por, ndryshe nga sa presin qytetarët dhe institucionet shtetërore, duket se njëra prej tyre, edhe pse ka emrin e tillë është më shumë e angazhuar në sektorë të tjerë, ku sasia e parave është më e madhe dhe ku “leku del më kollaj” nga taksat e qytetarëve se sa tek inspektimi i ashensorëve.

Kompanita qe inspektojne sigurine e ashensoreve, te miratuara nga ISHMT (LINK)

Bëhet fjalë për kompaninë që pak kohë më parë mori edhe koncensionin qindra milionësh të inspektimit të pompanive të karburantit dhe gazit në karburante duke i ngarkuar shoferëve të makinave një kosto shtesë për çdo litër naftë. Më parë, inspektimi i këtyre pompanive bëhej nga Drejtoria e Metrologjisë, por për arsye ende të paditura u pa e nevojshme që një shërbim i tillë t’i kalonte privatit.

E njëjta kompani, që thotë se inspekton sigurinë e ashensorëve, me një kapital prej vetëm 100 mijë lekësh, rrekët të marrë përsipër një numër të madh shërbimesh të tjera duke filluar nga inspektimi i autoboteve të gazit, tek kontejnerët, madje edhe ofrojnë shërbime për mbrojtjen e mjedisit. Sëfundmi, kompania merr përsipër edhe të futet në tregun e “Real Estate” duke shitur apo blerë hapësira ndërtimi.

Me një shtrirje kaq të madhe dhe një numër të kufizuar punonjësish dhe ndërkohë që arka mbushet me taksat e shqiptarëve nga pompat e karburanteve, sigurisht që siguria e jetës së qytetarëve do të mbetet si prioritet i katërt apo i pestë.

Shkurt e shqip: Zoti na ruajt në ashensor, se ata që janë përgjegjës për sigurinë e kanë mendjen të mbushin xhepat! /abcnews.al