Real Madridi ka fituar me rezultatin e thellë 6-1 përballë Mallorcas në kuadër të javës së gjashtë të La Liga-s.
Edhe pse Ancelotti kishte bërë shumë ndryshime, sidomos në mesfushë, ku për herë të parë e nisi si titullar Camavinga, i cili nuk luajti në rolin e tij natyral, por zëvendësoi Casemiron dhe Asensio i cili herë pas here u provua në ndeshjet e para të sezonit si mesfushor me disa minuta, por rezultati nuk ishte i kënaqshëm. Këtë herë rezultoi ndryshe, a ishte niveli i kundërshtarit, apo Asensio di ta bëjë mjaft mirë atë rol, mbetet për t’u parë në vazhdim.
Ndeshje u zhbllokua që në minutën e 3, ku një gabim fatal në mbrojtjen e miqve u kthye në gol nga super Karim Benzema.
Më pas ishte momenti i Asensio “show” që dyfishon rezultatin në minutën e 24. Të “dehur” nga avantazhi i dyfishtë, miqtë gjejnë të papërgatitur “galaktikët” në prapavijë dhe ngushtojnë rezultatin vetëm 1 minut më vonë.
U mendua se minuta të vështira do të vinin për Realin, por Asensio shënon sërish pas 4 minutash, të tretin për skuadrën dhe të dytin personal.
Rezultati 3-1 do të ishte përfundimtari për pjesën e parë. E dyta nis aty ku mbaroi e para, vendasit dërgojnë topin në rrjetë në minutën e 49’ me Benzema, por goli anullohet për shkak të një faulli në zonë.
Radha për golin e tretë personal të Asensios në minutën e 55 dhe i katërti për Realin, gol që vendos përfundimisht fatet e këtij takimi.
Mankthi për Mallorcan nuk do të mbaronte këtu, pasi edhe dy gola të tjerë do të vinin në vazhdim. Benzema në minutën e 78 dhe Isco në të 85’ do të kompletonin këtë super fitore para tifozëve të tyre në Santiago Bernabeu./abcnews.al/