Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i është drejtuar popullit serb nëpërmjet një konference pas reciprocitetit për targa serbe, vendim ky i marrë gjatë ditës së sotme nga Qeveria e Kosovës.
Vuçiç e ka cilësuar si “një ditë të vështirë” për serbët në Kosovë, derisa e ka dramatizuar paksa situatën lidhur me prezencën e forcave policore në Veri, përcjell Gazeta Express.
“Sot është një nga ditët më të vështira për njerëzit tanë në Kosovë. Nuk bëhet fjalë për ndonjë dramatizim, por situata është vërtet serioze dhe e vështirë. Dua t’ju informoj se ne e dinim mbrëmë se Prishtina po planifikonte lëvizje të forcave të saj në Kosovën veriore”, deklaroi ai.
“Ata kaluan në Kosovën veriore rreth orës gjashtë të mëngjesit të sotëm, dhe kjo është hera e gjashtë që hyjnë atje. Snajpera janë vendosur në disa vende. Snajperistët kanë mbuluar shtëpitë e të rinjve serbë të cilët mund të kundërshtojnë veprimet e tyre të paligjshme”, ka shtuar tutje Vuçiç.
Gjatë ditës, Qeveria e Kosovës ka vendosur që të zbatojë reciprocitetin në targa me Serbinë, duke ua obliguar të gjithë veturave me regjistrim serb që ia mësyjnë Kosovës të paguajnë 5 euro që të pajisen me targa të përkohshme ‘RKS’.
Lidhur me këto zhvillime ka reaguar Ambasada Amerikane e BE-ja, duke i bërë thirrje Kosovës e Serbisë të “ulin tensionet”. m.v/abcnews.al