Donald Trump ka paralajmëruar se Shtetet e Bashkuara do të përfshihen nga revoltat nëse ai inkriminohet në lidhje me pagesat e fshehta të bëra në prag të zgjedhjeve presidenciale që e kurorëzuan në krye të Shtëpisë së Bardhë.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se nuk e shqetëson inkriminimi që mund të vijë për shkak të pagesave të fshehta të bëra gjatë fushatës elektorale të vitit 2016. Megjithatë, në një intervistë për agjencinë e lajmeve “Reuters”, Trump ka deklaruar se një gjë e tillë mund të shkaktojë revolta.
“Personalisht nuk jam i shqetësuar, por mendoj se qytetarët do të revoltoheshin nëse do të ndodhte”, ka deklaruar Trump.
Presidenti është shprehur se, ai nuk ka bërë asgjë të gabuar dhe se në 2 vjet në detyrë ka ngritur ekonominë më të fuqishme në historinë e Shteteve të Bashkuara. Rreziku për një inkriminim të kreut të shtetit është rritur pasi javën e kaluar, ish-avokati i tij personal deklaroi se Trump e kishte udhëzuar të bënte pagesa me 6 shifra për dy gra, për të fshehur marrëdhënien e tyre me të.
Një formë e tillë pagese përbën shkelje të ligjeve elektorale dhe për demokratët është e mjaftueshme për të ngritur një inkriminim. Një lëvizje e tillë kërkon një shumicë të thjeshtë në Kongres, ku në janar kontrolli u kalon demokratëve. Por shkarkimi i presidentit nga detyra kërkon më pas dy të tretat në Senat, ku dominojnë republikanët e Trump.
Gjatë intervistës së dhënë në Dhomën Ovale, Trump ka folur edhe për çështje të tjera, si rasti i gazetarit Jamal Khashoggi. Ai ka theksuar se mbështet princin saudit të kurorës, pavarësisht rekomandimeve të CIA-s se pikërisht Mohamed bin Salman ka urdhëruar vrasjen dhe thirrjeve të senatorëve amerikanë për ta dënuar atë. Sa i takon luftës tregtare me Kinën, shefi i Shtëpisë së Bardhë ka nënvizuar se falë lëvizjeve të tij biznesi kinez po blen sasi “tmerrësisht të mëdha” soje nga Shtetet e Bashkuara.
Ai ka shtuar se përmes Departamentit të Drejtësisë do të ndërhyjë në rastin e arrestimit të menaxheres së kompanisë kineze “Hwauei” nëse kjo do të shërbente për një marrëveshje tregtare më të mirë me Pekinin./abcnews.al