Provokacija/ Nano: Poshtë tallavaja!

schedule20:58 - 11 Dhjetor, 2018

schedule 20:58 - 11 Dhjetor, 2018

…Kjo këngë, që ne po vijojmë ta dëgjojmë në sfond me zë të ulët, e interpretuar nga Flori Mumajezi, sapo ka dalë fituese në garën e Këngës magjike. Është një këngë që është pëlqyer edhe nga publiku. Është kënga më e pëlqyer nga publiku. Dhe është hera e parë, me sa di unë, që një këngë e tillë fiton në një garë kombëtare të muzikës. Ç’dua të them me një “këngë e tillë”? Dua të them një këngë me një vijë melodike sentimentale, pothuajse qaramane, që këndohet me një zë të zvargur e të spërdredhur, shkurt një këngë e stilit tallava.

https://www.youtube.com/watch?v=X0tJdfGAZOM

Ekziston një pjesë njerëzish në Shqipëri që tallavanë nuk e durojnë dot. Dhe nuk e durojnë dot qoftë për shkak të shijeve të tyre muzikore, të cilat i kanë formuar duke dëgjuar tjetër muzikë, muzikën e perëndimit, ose muzikën që bëhet në vendet fqinje, ose edhe muzikën që është bërë në Shqipëri para e gjatë komunizmit, së cilës i është dashur në një farë mënyre, gjithë kohën, të jetë në një garë me tallavanë. Në një garë që nuk ka mundur ta fitojë dot. Sepse shumica dërrmuese e shqiptarëve e kanë mbajtur tallavanë të gjallë brenda tyre. Ndonëse tallavaja përgjithësisht, gjatë komunizmit, u mungonte në jetën publike, shqiptarët e përdornin nëpër shtëpitë e tyre, në jetën e tyre private, e sidomos nëpër dasma. Aty, nëpër dasma, shqiptarët këndonin e vallzonin në ritme tallavaje mes një eksitimi të veçantë, si të donin të thoshin se ajo, tallavaja, ishte muzika e tyre, dhe se atë mund t’ua mohonin në jetën e tyre të përditshme, por nuk mund t’ua hiqnin nga shpirti. Në fakt, tallavaja përbën një pjesë të rëndësishme të traditës sonë muzikore. Tallavaja, në një masë a në një tjetër, është muzika jonë. Tallavanë e kemi në gjak. Mjafton të dëgjojmë një motiv tallavaje, dhe ne fap, kthejmë kokën. Dhe mprehim veshët. I gjithë trupi na i ndjen. Ja, si me këngën me titullin “Plas” të Mumajezit. Me që ra fjala, edhe titullin e ka si prej tallavaje, Plas. Dhe për ta theksuar më shumë asosacjonin e tallavasë, edhe refrenin e ka në një shqipe që i rri më mirë tallavasë. “S’kena me u pa mo bashkë”, thuhet në refren.

Pas vitit 1990, një nga gjërat më të para që u rekuperuan, krahas besimit fetar, normave kanunore, e zanatit të cubit, që në zhargonin e sotëm urban quhet gango, krahas këtyre pra u rekuperua edhe tallavaja. Madje, unë jam i sigurtë që tallavaja ishte më e para gjë që u rekuperua. Pa gjetur kurrfarë rezistence. Askush nuk iu kundërvu. Përkundrazi, të gjithë e mirëpritën. Pothuajse të gjithë. Tallavaja ishte si njeriu i shtëpisë që na e kishin larguar, na e kishin syrgjynosur, dhe ne të gjithë mezi po e prisnim të na rikthehej. Këngëtarët tanë të njohur fillimisht e përbuznin. Të njëjtën përbuzje demonstronin edhe ndaj konsumatorëve të kësaj muzike. Mirëpo ishte pa dobi. Kishte ardhur koha e tallavasë. Të gjithë donin tallava. Gradualisht, pak e nga pak, shtypi, radiot, televizionet, reklamat, youtubi, rrjetet sociale u përmbytën prej muzikës tallava. Dhe ja ku erdhëm në pikën që edhe një kompeticion modern si Kënga Magjike fitohet nga një këngë me motive tallavaje.

Nëse duam të zhvillojmë një muzikë tonën kombëtare, atë muzikë kombëtare që kemi, aq sa e kemi, ashtu si e kemi, rruga nuk është t’i shpallim luftë tallavasë. Nuk duhet të na shkojë mendja t’i shpallim luftë tallavasë. Së pari, sepse është një luftë e humbur. Së dyti, sepse është një luftë e kotë. Ne kemi krijuar mitin e tallavasë si muzikë e keqe, vulgare, por ndoshta ka ardhur koha që ta shohim tallavanë si muzikë, muzikë si çdo muzikë, që ka ndjekësit e vet. Kjo do të thotë: Le ta këndojnë tallavanë, ta këndojnë sa të plasin nga gazi e hareja, por le t’i vëmë vetes për detyrë të mos e lëmë atë të na futet nëpër garat kombëtare të muzikës, të mos e lëmë atë të na shndërrohet në një muzikë që sundon çdo mjedis tonin publik, e nëse bëhet një muzikë sunduese, të mos e lëmë atë të shndërrohet nga sunduese në zyrtare, përfaqësuese. Ajo muzikë nuk duhet të bëhet një logoja jonë kombëtare. Njerëzit e pëlqejnë, dhe kjo është ok, por nuk duhen lënë njerëzit e zakonshëm, turma e madhe, që të përcaktojnë shijet muzikore kombëtare. Turmës i duhet hequr kjo kompetencë. Sepse turma është e prirur, pothuajse gjithnjë, të shkojë drejt vulgares.

E nëse nuk kemi fuqi ta bëjmë këtë, dhe me ç’shoh unë nuk kemi fuqi, le të marrim çfarë mund të merret prej tallavasë, duke e zhveshur prej spërdredhjeve e toneve qaramane, e t’ia bashkangjisim muzikës sonë kombëtare, ta inkorporojmë në muzikën tonë, siç edhe edhe ka ndodhur në fakt, si fjala vjen me Aurela Gaçen, e cila në nja dy raste ka eksperimentuar me motive tallavaje, por pa e tallava-izuar këngën e vet. Edhe kënga e Mumajezit e tillë është, s’ka gjë se stili tallava është dominues. Madje, mua më kanë thënë se edhe jaret shkodrane, apo vallja e napolonit, apo edhe këngë e valle të tjera të repertorit tonë kombëtar, janë një kombinim – inteligjent do thoja unë – i muzikës lokale me muzikën “aliene” të ardhur nga larg, prej kohësh që s’mbahen mend.

E nëse tallavaja këmbëngul të bëhet një muzikë e jona kombëtare, e vetmja muzikë e jona kombëtare, atëherë më lejoni ta them sot atë që ndoshta nuk do mundin ta thonë nesër: Poshtë tallavaja!/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!