Protesta e studentëve në vendin tonë ka marrë një jehonë të gjerë nga mediat ndërkombëtare të cilat pasqyrojnë kërkesat e tyre dhe këmbënguljen për të mos negociuar me qeverinë Rama.
Washington Post pasqyron protestën e studentëve në Tiranë duke theksuar se ata refuzojnë propozimet për negocim me qeverinë, duke këmbëngulur se fillimisht duhet të plotësohen kërkesat e tyre. Më tej Washington Post shkruan se studentët nuk kanë pranuar as takimin me ministren e Arsimit Lindita Nikolla. Disa qytetarë kanë shpërndarë ujë dhe ushqime për studentët në shenjë solidariteti.
Balkan Insight e vë theksin se përtej kërkesës për uljen e tarifave, kjo protestë studentore shfaq zemërim ndaj qeverisë socialiste në pushtet. Studentët disa herë kanë refuzuar kërkesën e kryeministrit Edi Rama për të dialoguar duke kërkuar fillimisht realizimin e kërkesave të tyre. Abc News përmend faktin se 8 dhjetori, një prej ditëve të protestave koinçidon dhe me atë 1990-ës, kur studentët rrëzuan regjimin komunist.
Studentët kanë paralajmëruar se nëse nuk respektohet afati i vendosur për përmbushjen e tetë kërkesave, ata mund të hynë dhe në grevë urie. Ndërkohë janë të shumtë korrespondentët e mediave të huaja që ndodhen në Tiranë për të pasyruar nga afër këtë protestë që ka hyrë në ditën e saj të tetë. Njëkohësisht protestohet dhe në qytete të tjera të vendit, ndërsa sot studentëve i janë bashkuar dhe nxënës të shkollave të mesme që kanë vendosur të bojkotojnë mësimin në mbështetje të studentëve./abcnews.al