Ministrja holandeze tërhiqet për shkak të kaosit në Afganistan

schedule08:02 - 17 Shtator, 2021

schedule 08:02 - 17 Shtator, 2021

Ministrja e Jashtme e Holandës, Sigrid Kaag, dha dorëheqje, për shkak të menaxhimit të krizës së evakuimit nga Afganistani, muajin e kaluar.

Ajo është zyrtarja e parë perëndimore që tërhiqet, si pasojë e kaosit që ndodhi pasi militantët talibanë morën nën kontroll Afganistanin, më 15 gusht.

Deputetët holandezë miratuan një mocion censure ndaj saj, duke thënë se Qeveria ishte shumë e ngadalshme në përgjigje dhe se la pas shumë afganë që duhej të iknin.

Kaag tha se qëndron pas veprimeve të saj, por pranoi vendimin e deputetëve.

Holanda arriti të evakuojë rreth 2,000 njerëz nga Afganistani në dy javët e fundit të gushtit.

Por, qindra afganë që kanë punuar me trupat holandeze, u lanë atje.

Afganët që kanë punuar me forcat ndërkombëtare gjatë 20 vjetëve të fundit, kërcënohen nga talibanët.

Shtetet perëndimore kanë tërhequr mijëra nga Afganistani, por një numër i madh ka mbetur atje.

Kaag pranoi se Qeveria holandeze ka vepruar në bazë të “supozimeve të gabuara”, por tha se ngritja e shpejtë e talibanëve në pushtet i ka habitur të gjithë, “përfshirë edhe vetë talibanët”.

Këtë javë, sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, Dominic Raab, i cili u kritikua shumë për vazhdimin e pushimit pasi Kabuli ra në duart e militantëve, u zëvendësua në një riorganizim të Qeverisë./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!