Liverpool-Napoli është sfida kryesore e mbrëmjes në Ligën e Kampionëve. Një finale e vërtetë, në orën 21:00 në stadiumin “Anfield”, do të përcaktojë se kush do të kualifikohet nga grupet.
Katër trofe të tillë i ka fituar në karrierë. Carlo Ancelotti është një triumfues i vërtetë në Champions dhe nuk dëshiron të shkojë në shtëpi që tani. Pasi ia doli dy herë me Milanin dhe një herë me Realin, ambicia e tij është që t’ia dalë me Napolin.
Gjithsesi, sonte në orën 21:00, do të ketë një provë “të jesh a të mos jesh”, pra për kualifikim ose eleminim. Napolitanët u stërvitën në stadiumin “Anfield” të Liverpoolit, ku do të përballen me skuadrën vendase, në një finale të vërtetë. Italianët duhet të shmangin një humbje me dy gola diferencë që të kalojnë fazën e grupeve. Për fat, vetëm Verdi e Kirikesh janë mungesa.
“Jemi të ndërgjegjshëm se çfarë ndeshje na pret në “Anfield”. Ndaj Liverpoolit luhet një finale, dhe nuk duhet të gabojmë në hapin e fundit. Tortën e kemi, thjesht duhet të vendosim qershinë sipër saj. Nuk kemi ardhur këtu për t’u mbrojtur, por për të bërë lojën tonë. Ndeshja e parë, që fituam në shtëpi ndaj Liverpoolit, na ka dhënë besim dhe ne duhet të luajmë sërish ashtu”, tha Ancelotti.
Liverpooli është më i rrezikuar sesa Napoli. Skuadra e trajnerit Jurgen Klopp duhet të fitojë me dy gola diferencë që të sigurojë kualifikimin. Disfata e pësuar në Francë me Paris SG e ndërlikoi situatën, por të kuqtë kanë qenë gjithnjë tepër të fortë përpara tifozëve të tyre. Të kuqtë nuk do të kenë mbrojtësin e qendrës Gomez, të dëmtuar, ndërsa mbrojtësi tjetër, Lovren, është ende në dyshim. Klopp si gjithnjë, e mori ndeshjen me sportivitet.
“E di sesa e vështirë do të jetë ndaj Napolit, por, kjo nuk më bën që unë ta humbas buzëqeshjen. Është e vërtetë që nuk kemi bërë aq sa duhet në Champions, që të ishim të kualifikuar që tani, ndërsa kjo është mundësia jonë e fundit. Gjithsesi, unë jam i lumtur me formën e skuadrës këto javë, madje gjatë gjithë vitit. Në Champions do të luash me më të fortët dhe duhet të fitosh. Le të mos i përsërisim gabimet e së kaluarës”, tha Klopp.
Si janë shanset për kualifikim në grupin C?
Nëse Liverpooli fiton me dy gola diferencë, kualifikohet, ndërsa Napoli eleminohet nëse PSG fiton ose barazon në Beograd me Crvena Zvezdën. Nëse në “Anfield” përfundon barazim, Liverpooli eleminohet.
Nëse Liverpooli fiton me një gol diferencë dhe PSG fiton, sërish kualifikohet pasi ka shënuar më shumë gola se Napoli. Nëse Liverpooli fiton me një gol diferencë dhje PSG barazon, tre ekipet barazohen me nga 9 pikë, dhe gjithçka varet nga golaverazhi direkt, pra nga rezultati në “Anfield”./abcnews.al