Pjesëtarë të shoqërisë civile dhe qytetarë kanë dalë pasditen e së mërkurës në protestë për rastin e vrasjes së Sabrina Bengajt. Nga ambientet jashtë ministrisë së Punëve të Brendshme, protestuesit kanë marshuar drejt Ministrisë së Drejtësisë ku edhe ndodhen aktualisht.
Më herët për mediat ka folur edhe vëllai i të ndjerës i cili u është bashkuar protestuesve. Ai është shprehur se fajtore janë autoritetet që e nxorën vrasësin nga burgu dhe kërkoi drejtësi.
Ai e cilëson Elton Metën një dhelpër që “diti ta luajë mirë rolin.”
‘’Ata janë fajtorët që e nxorën nga burgu atë. Edhe ai doktori në burgun e Zaharisë, ka thënë që gjoja ka qenë i sëmurë. Ai ka qenë një dhelpër që diti ta luajë mirë rolin. Na i punoi shumë bukur, neve. Na i punoi mbrapa krahëve.‘’
Protestuesit mbajnë në duar pankarta në të cilat janë shkruar mesazhe si “Dua të shkollohem, burri nuk është institucion emancipues”, “Vrasja e grave dhe vajzave është pandemi, ku janë vaksinat?” “Raporto dhunën dhe kërko ndihmë” etj.
Kujtojmë se Elton Metaj e qëlloi për vdekje Sabrinën mbrëmjen e së premtes në Zhupan të Fierit. Sipas nënës së vajzës ai e qëlloi Sabrinën “me bukë në gojë”. Pas një debati të shkurtër verbal Metaj e qëlloi sapo ajo ktheu shpinën.
Më 20 shtator të vitit të shkuar për më shumë se 5 orë Elton Meta në kërcënimin e armës mbajti peng ish-bashkëshorten dhe familjen e saj në banesën e tyre, duke qëlluar dy herë në ajër.
Ai u neutralizua nga Renea dhe u dorëzua. 31-vjecari u prangos dhe ndaj tij u ngritën 3 akuza, dhunë në familje, kundërshtim të forcave të policisë dhe armëmbajtje pa leje. Dhe pse me akuza të rënda, Elton Metaj fitoi lirinë. /abcnews.al/