Gati vendimi në Itali: Vaksinim me detyrim për të gjithë të punësuarit në publik dhe privat, kur fillon aplikimi

schedule15:14 - 15 Shtator, 2021

schedule 15:14 - 15 Shtator, 2021

Italia pritet të marrë një vendim të rëndësishëm sa i përket vaksinimit me detyrim të popullsisë. Mediat italiane raportojnë se qeveria ka vendosur që të kërkojë “Pasaportën Jeshile” për të gjithë të punësuarit në sektorin publik dhe atë privat. Askush prej tyre nuk do të pranohet në punë nëse nuk është vaksinuar, raporton abcnews.al.

Drafti është miratuar edhe nga guvernatorët e rajoneve dhe tashmë pritet firma e kryeministrit.

Vendimi, i cili pritet të firmoset nesër nga kryeministri Mario Draghi  do të të fillojë të aplikohet mes datave 10-15 tetor dhe do të përfshijë të gjithë Italinë.

Tashmë drafti është futur në godinën e qeverisë dhe ajo që mund të bëjë kryeministri sipas mediave italiane është të vendosë nëse detyrimi për “pasaportën e gjelbër” të futet në fuqi në të njëjtën datë si për nëpunësit publik ashtu edhe ata privatë apo t’u japë pak më shumë kohë kompanive private për përmbushjen e këtij detyrimi.

Shkaku se përse është vendosur gjysma e tetorit si data limit për vaksinimin e detyrueshëm të punonjësve në sektorin publik dhe privat lidhet me fillimin e shkollave dhe rihapjen e plotë të transportit, gjë që mund të sjellë rritje të rasteve.

Italia bëhet kështu vendi i parë në Bashkimin Europian që aplikon vaksinim të detyrueshëm për punonjësit publik dhe ata privatë, ndërsa shënon numrin më të lartë të të vdekurve nga koronavirusi në Europë pas Britanisë së Madhe.  /abcnews.al