Deputetët britanikë nuk do të votojnë të martën për marrëveshjen e divorcit të arritur me Bashkimin Europian. Vendimi është njoftuar nga kryeministrja May, e cila tha se do të rinegociojë me Brukselin. Por Unioni e konsideron kapitull të mbyllur këtë çështje.
Qeveria britanike ka shtyrë votimin për ratifikimin e marrëveshjes Brexit, të parashikuar për të martën. Njoftimi u bë nga vetë kryeministrja Theresa May duke folur përballë anëtarëve të Dhomës së Përfaqësuesve. Ajo ritheksoi edhe njëherë se marrëveshja e arritur me Bashkimin Europian është më e mira e mundshme.
Theresa May, kryeministre e Mbretërise së Bashkuar: “Nëse do të mbanim votimin të martën, marrëveshja do të rrëzohej nga një numër i madh deputetësh. Prandaj vendosëm që të mos procedonim. Pyetja themelore që anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve duhet t’ia bëjnë vetes është nëse dëshirojnë të përfundojnë procesin Brexit dhe të respektojnë rezultatin e referendumit. Nëse ata duan të përfundojnë procesin Brexit, të gjitha analizat tregojnë se marrëveshja në tryezë është më e mira e mundshme”.
May nuk bëri të ditur se kur do të ndodhë votimi për këtë marrëveshje por tha se do të rikthehet në Bruksel për të diskutuar se çfarë mund të ndryshohet. Kryeministrja britanike sqaroi se një pjesë e mirë e qytetarëve dhe deputetëve kundërshtojnë marrëveshjen pasi nuk pranojnë pjesën që përcakton një kufi me kontrolle mes Irlandës dhe Irlandës së Veriut. Nga ana tjetër, për Bashkimin Europian marrëveshja e shkëputjes është çështje e mbyllur.
“Angazhimi ynë për punë mbetet që Britania të largohet nga BE më 29 mars 2019 dhe se marrëveshja e divorcit në tryezë është e vetmja e mundur dhe e panegociueshme. Pozicioni ynë nuk ndryshon”, thotë një Zëdhënësi në Bruksel, duke përsëritur se Bashkimi Europian “po përgatitet për të gjithë skenarët”. Pavarësisht vendimit të Gjykatës së BE-së, Brukseli thotë se aktualisht mungojnë kushtet për revokimin e nenit 50 që u aktivizua për herë të parë në histori për procesin Brexit./abcnews.al