Vaksinimi anti-covid, rektori i UT: Nuk ka pse të jetë me detyrim

schedule11:01 - 15 Shtator, 2021

schedule 11:01 - 15 Shtator, 2021

Rektori i Universitetit  të Tiranës shprehet kundër vaksinimit me detyrim.  Me gjithë këtë Artan Hoxha njohës i mirë i ligjeve, në një aktivitet përkujtimor për studentët dhe pedagogët e fakultetit Ekonomik që humbën jetën nga koronavirusi  nxiti  të rinjtë  të marrin dozat anti Covid si e vetmja mundësi për të frenuar pandeminë.

Mbi 75% e stafit akademik, ndihmës akademik dhe administrativ të institucionit të arsimit të lartë më të madh në vend deri tani kanë marrë vaksinën anti Covid. Sa i përket studentëve Universiteti i Tiranës ende nuk disponon të dhëna të sakta. Ndërkohë të rinjtë shprehin mendime të ndryshme. Ka prej tyre që shpresojnë që institucionet të tërhiqen nga ky vendim.

“Shpresoj që të mund ta heqin këtë vaksinimin. Më duket e kotë ta bëj përderisa është sëmundje për të gjithë dhe duhet ta pranojmë.” 

Për të lehtësuar procesin në fakultete janë hapur qendrat e vaksinimit. Covid-19 në Universitetin e Tiranës sipas të dhënave zyrtare  i ka marrë jetën 4 pedagogëve, një studenteje dhe një punonjëse të bibliotekës. Sa i përket  vitit të ri akademik, ai pritet të nisë në mes të muajit tetor, por ende nuk dihet nëse studentët do të kthehen në auditore.

Në pritje të datës së nisjes së shkollave të larta nga Ministria e Arsimit dhe mënyrës së zhvillimit të mësimit  nga ekspertët e shëndetësisë janë rreth 120 mijë studentë,  22 mijë prej tyre në Universitetin e Tiranës. /abcnews.al/