Qytetarët e shtetit të Kalifornisë në SHBA votuan me shumicë dërrmuese për guvernatorin e tyre demokrat, Gavin Newsom, duke refuzuar përpjekjet e republikanëve për ta rrëzuar atë.
Republikanët i kanë thirrur zgjedhjet e posaçme kryesisht për shkak të mënyrës së menaxhimit të pandemisë së koronavirusit.
Newsom ka urdhëruar detyrimin për veshje të maskës dhe izolimin e qytetarëve.
Me shumicën e votave të numëruara, rrjetet televizive NBC dhe CNN parashikuan fitoren e Newsomit me rreth dy të tretat e votave.
Miliona qytetarë votuan me postë, duke mundësuar numërimin e shpejtë të votave, menjëherë pas mbylljes së votimit.
Përpara se të hapej votimi, rivali kryesor i Newsomit, Larry Elder, tha se votat janë manipuluar.
Kalifornia është shteti më i populluar i SHBA-së.
Newsom ndodhet në vitin e tretë të mandatit të tij katërvjeçar.
Presidenti amerikan, Joe Biden, dhe nënpresidentja Kamala Harris kanë bërë fushatë me të përpara zgjedhjeve./REL