Prokuroria e Catanias ka kërkuar 18 vite e 8 muaj burg për Moisi Habilajn i konsideruar si kreu i një grupi kriminal që trafikonte droge nga Shqipëria në Itali. Prokuroria kërkoi dënime me burg edhe për dy shqiptarë të tjerë të kësaj bande, Nazer Seiti dhe Meridian Sulaj.
Dënime shembullore. Prokuroria e Catania-s ka kërkuar mëngjesin e të hënës dënimet për të akuzuarit e përfshirë në procesin “Roza dei Venti”, të cilët kanë zgjedhur gjykimin e shkurtuar. Prokurori Antonio Bonomi ka kërkuar 18 vjet dhe 8 muaj burg për Moisi Habilaj, i cili ndodhet në qeli që nga fundi i 2017-s. Ai ka ndjekur seancën në heshtje, ndërsa jashtë sallës së gjykatës ndodheshin familjarë të të akuzuarve të tjerë. Habilaj konsiderohet si kreu i një grupi të specializuar kriminal që merrej me importin e marijuanës nga Shqipëria.
Në listën e personave në proces janë dhe ata që konsiderohen si bashkëpunëtorë të Habilaj. Për Meridian Sulajn u kërkuan 12 vjet e 4 muaj burg, ndërsa për Fatmir Minajn u kërkua lirimi nga akuzat. Nazer Seiti, i konsideruar si kasieri i grupit, rrezikon deri në gjashtë vite burg. Grupi kryente trafikun e drogës kryesisht nga deti me anë të peshkarexhave. Kur mbërrinte në Itali droga i shitej disa klaneve mafioze në provincat e Katanias, Sirakuzës dhe Raguzës. Dënim me burg është kërkuar dhe për 12 të akuzuar të tjerë, të gjithë shtetas italianë./abcnews.al