Një zjarr ka shpërthyer në zyrat e misionit të përhershëm serb të OKB-së, në New York, mëngjesin e të hënës. Lajmi është konfirmuar nga ministria e Jashtme serbe.
Shefi i misionit të Serbisë, Milan Milanovic, deklaroi se dy prej zyrave janë shkatërruar plotësisht. Sipas tij, zjarri u vu re rastësisht nga një nënpunës në ndërtesë dhe nga kalimtarë, ndërsa zjarrëfikësit kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje. E përditshmja amerikane Daily News, raportoi se tre civilë dhe një zjarrëfikës kanë marrë plagë të lehta.
Ndërtesa e vendosur përgjatë “Central Park” ka qenë nën mbrojtjen e shtetit që nga viti 1966. Ajo u ndërtua në vitin 1905 nga firma arkitekturore New York-eze, që ndërtoi dhe Stacionin e madh Qendror. Ndërtesa është aktualisht në shitje për një vlerë prej 50 milionë dollarësh. /abcnews.al