Kamza mund Luftëtarin dhe largohet nga vendi i fundit në Superligë

schedule18:37 - 9 Dhjetor, 2018

schedule 18:37 - 9 Dhjetor, 2018

Kamza fitoi një duel për mbijetesë në Superligë, duke mundur Luftëtarin me rezultatin 1-0. Goli i vetëm i ndeshjes u shënua nga japonezi Fukui, që pati edhe një dedikim prekës.

Një ndeshje një gol, dhe një futboll për t’u luajtur. Dy skuadra në krizë si Kamza e Luftëtari u ndanë me shifrat 1-0, dhe kamzalinjtë iu larguan vendit të fundit në Superligë. Ishte një duel mbijetese, njëri nga të shumtët që priten këtë sezon, dhe që u vendos nga japonezi Masato Fukui. Futbollisti aziatik madje bëri një dedikim prekës për vëllanë e portierit të skuadrës së tij, Avdyli, që humbi ketën pak javë më parë.

Për këtë, ai u duartrokit nga tifozët në stadium. Ndeshja nuk ishte e bukur, dhe nuk pati shumë raste për të shënuar. Kjo, edhe për shkak të standardit të skuadrave për momentin, për problemet e mëdha financiare, si dhe për presionin e vendeve të fundit. Gjithsesi, për trajnerët Gjoka e Mezani nuk kishte rëndësi bukuria e lojës, për pikët, dhe ato I morën vendasit. Luftëtari u përpoq, sidomos pas pësimit të golit, dhe krijoi disa mundësi për shënim, madje deri në sekondat e fundit, aq sa Kamza në ndonjë moment pati edhe fat. Kamza u ngjit në vend të parafundit në Superligë me 12 pikë, ndërsa Luftëtari mbetet i treti nga fundit, me një pikë më shumë./abcnews.al