Ashensori që përfundoi sot në katin Zero në kompleksin “Fratari” në zonën e Astirit, nuk ka qenë i regjistruar dhe për pasojë nuk ishte inspektuar. ISHMT njofton se banorët e pallatit duhet të zgjedhin një administrator dhe është detyra e tij të kontaktojë me një organ të miratuar për të bërë një kontroll fillestar dhe periodik të ashensorit.
“Lidhur me ngjarjen e ndodhur në pallatet me adrese në kompleksin Fratari, në zonën e Astir, Tiranë, sqarojmë se prane ISHMT nuk rezulton ky subjekt si i regjistruar. Sipas Ligjit 10489/2011 “Për tregtimin dhe mbikëqyrjen e tregut të produkteve joushqimore’, i ndryshuar Personi Përgjegjës i produkt/instalimit nuk e ka bere regjistrimin e ashensorit pranë ISHMT.
Nga të dhenat e ISHMT për sa i përket raportimeve të Trupave të Autorizuara dhe të dhënave të tjera të siguruara nga ISHMT, rezulton se ashensori i cili ka pësuar “defekt teknik” duke shkaktuar aksident nuk ka qenë i inspektuar nga një Trupë e Autorizuar sic parashikon Ligji 10489/2011 “Për tregtimin dhe mbikëqyrjen e tregut të produkteve joushqimore”, i ndryshuar.
Në zbatim të legjislacionit për administrimin e ambjenteve të përbashkëta, banorët e pallatit duhet të zgjedhin një administrator dhe është detyra e administratorit të kontraktojë një Organ të Miratuar, i cili bën kontrollin fillestar të ashensorit dhe atë periodik, për të vlerësuar nëse ashensori është në përputhje me rregullat teknike për garantuar sigurinë e përdoruesve. Strukturat e ISHMT ne momentin e marrjes se njoftimit janë angazhuar maksimalisht ne bashkepunim dhe me strukturat e tjera ligjzbatuese per zbardhjen e kesaj çështje”, deklaron ISHMT.
Ashensori i pallatit që sot u rrëzua duke rrezikuar jetën e 5 personave që ndodheshin brenda në të, ka pasur defekte edhe më herët ndërsa rreth tre muaj më parë kishte shfaqur të njëjtin problem. Banorët ishin ankuar disa herë për këtë gjë, por deri më sot nuk kishte marrë zgjidhje.
Nga hetimet paraprake ka rezultuar se ashensori ka pasur një defekt në pjesën anësore mes katit të parë dhe katit të dytë. Për pasojë ashensori ka rënë në katin zero duke rrëshqitur me një kat e gjysmë, por për fat të mirë ka ngecur pa përfunduar në fund.
Në atë moment brenda në ashensor kanë qenë 5 persona, tre djem dhe dy vajza, njëra prej të cilave shtatzënë. ABC mëson se kjo e fundit pasi ka marrë trajtim mjekësor është larguar për në banesë, ndërsa e lënduara tjetër po vijon të qëndrojë në spital. m.v/abcnews.al