Familjari i zyrtarit të PDK-së flet pas varrimit: Nuk i patëm hak askujt, jemi vrarë në shtëpinë tonë

schedule16:24 - 10 Shtator, 2021

schedule 16:24 - 10 Shtator, 2021

Familjarët, miqtë e bashkëpunëtorët sot i kanë dhënë lamtumirën e fundit zyrtarit të PDK’së, Astrit Ademajt, i cili u vra mbrëmjen e së mërkurës në Pejë. I vrarë atë natë ka mbetur edhe zyrtari tjetër i PDK’së, Blerand Kadriaj, raporton Express.

Pas ceremonisë së varrimit, ka folur për media djali i axhës së Astritit, Feim Ademaj, i cili tha se sot e varrosën anëtarin më të mirë të familjes.

“Të gjithë jemi të trishtuar, të mllefosur, të mërzitur tej mase. E varrosëm sot anëtarin më të  mirë të familjes, i cili la pas gruan dhe dy fëmijët e vegjël. Kjo është ajo çfarë mund të themi për momentin.

Ademaj ka thënë se luten që ky të jetë rasti i fundit i kësaj natyre, derisa ka thënë se me rastin do të merret drejtësia.

“Drejtësia derisa të merret me ndriçimin e rastit për momentin nuk kemi çfarë të themi si familje. Apeli jonë është që lutemi që ky rast të jetë i fundit i kësaj natyre, i vrasjes së kësaj natyre. Faktikisht nuk kemi pasur nevojë të shkojmë deri tek kjo punë. Nuk i kemi pasur hile as hak askujt. Ne jemi vrarë në shtëpinë tonë. Nuk e di se qysh do i vjen fundi kësaj pune, por lutemi që të jetë rasti i fundit të kësaj natyre. Të vëlla-vrasjes mes vete”, ka shtuar ai.

Në ceremoni të varrimit ka marrë pjesë kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, Adem Grabovci, Blerta Deliu-Kodra dhe struktura të tjera të kësaj partie. /Gazeta Express