Prokuroria e Pejës ka dhënë detaje të tjera në lidhje me vrasjen e dyfishtë mbrëmejn e djeshme të dy politikanëve të PDK-së në qytet.
Zëdhënësi i Prokurorisë, Shkodran Nikçi bën me dije se hetimet janë duke u zhvilluar në disa pista, ndërsa trupat janë dërguar për kryerjen e ekspertizës mjeko-ligjore.
Nikçi tha se derisa të vazhdojnë hetimet janë të rezervuar në dhënien e informatave pasi rasti është i ndjeshëm dhe mund të dëmtohet procesi i hetimeve.
“Të mërkurën mbrëma si pasojë e të shtënave me armë dy persona kanë vdekur dhe një është plagosur. Vendit të ngjarjes i janë përgjigjur njësitet policore dhe prokurorja e Departamentit të krimeve të rënda. Sot gjatë ditës kryeprokurori, prokurorja dhe hetuesit policor kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe në mënyrë intensive po zhvillohen hetimet që të zbulohen rrethanat dhe motivet”, ka deklaruar Nikçi.
Nikçi ka treguar janë sekuestruar dy armë, derisa ka thënë se trupat e viktimave janë dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
“….Në disa pista janë duke u zhvilluar hetimet dhe pasi hetimet të përfundojnë do të dalim me njoftim zyrtar. Derisa të vazhdojnë hetimet duhet të jemi të rezervuar pasi është rast i ndjeshëm dhe mund të dëmtohen hetimet”, tha Nikçi..
Mbrëmë kanë mbetur të vrarë kandidati i PDK-së për kryetar të Pejës, Astrit Ademaj dhe zyrtari i po kësaj partie, Blerand Kadrijaj. /abcnews.al