Si nisi sherri, gjithçka që dihet për vrasjen e dy politikanëve në Kosovë

schedule22:29 - 8 Shtator, 2021

schedule 22:29 - 8 Shtator, 2021

Një tragjedi ka ndodhur sot afër shkollës së mesme ekonomike “Ali Hadri” në Pejë. Dy zyrtarë të PDK-së janë vrarë teksa edhe një person është plagosur në një ngjarje të paprecedentë për vendin tonë ku dy zyrtarë të lartë politikë vriten pak kohë para zgjedhjeve lokale. Rreth orës 20 është raportuar për të shtëna në Pejë ku dy persona mbeten të vdekur.

Njëri prej të vrarëve ishte kandidati i PDK-së për kryetar të Pejës, Astrit Ademaj ndërsa tjetri është ish-kandidati i PDK-së për kryetar të Deçanit, Blerand Kadriaj. Ngjarja ka ndodhur pak më shumë se një muaj prej zgjedhjeve lokale që do të mbahen më 17 tetor.

Burime të Gazetës Express bëjnë të ditur se dy viktimat dyshohet se kanë qenë në një lokal dhe për një moment kanë sulmuar njëri tjetrin. Dyshohet se Ademaj e Kadriaj kanë shkrepur me armë ndaj njëri tjetrit me ç’rast kanë mbetur të vrarë.

I plagosur nga shkrepja e armëve ka mbetur vëllai i Astrit Ademajt, Avniu. Rasti për të shtëna është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës për Gazetën Express.

“Sot me datë 08.09.2021, rreth orës 20:20, Policia është informuar se në afërsi të shkollës ekonomike Ali Hadri në Pejë, ka të shtëna me armë zjarri, si pasojë e te shtënave 3 persona kanë pësuar lëndime të njëjtit janë dërguar në spitalin Rajonal në Pejë, dhe nga ekipi mjekësor është konstatuar vdekja e dy viktimave të këtij rasti.

Në vendin e ngjarjes kanë dal të gjitha njësitet kompetente të Policisë së Kosovës, gjithashtu edhe Prokurori i shtetit, për të kuptuar se si ka ardhur deri te ky rast. Për informata shtesë mund të jepen pas zhvillimit të hetimeve”, tha Driton Rugova, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës. /Express/