Pedagogia Suzana Guxholli vlerëson se qeveria “Rama 3” do të përballet me sfida të mëdha në ekonomi. E ftuar në “Radar Informativ” me Jonida Shehun, Guxholli tha se nisur nga situata ku borxhi ësgtë shumë i lartë, do të ketë sfida në ekonomi për vitin e ardhshëm.
“Ka pikëpyetje që vështirë ti heqësh. Duke patur parasysh zhvillimet e fundit të ekonomisë, ato zonja kanë sfida të vështira përpara. Marrin në dorë një ekonomi me një borxh shumë të lartë që do të vazhdojë të rritet më tej. Një borxh që i deklaruar është 80, por siç e kemi analizuar fsheh edhe disa borxhe të tjera.
Ekonomia jonë është shumë e brishtë. Duke qenë kështu, me sektorë jo prodhues, të tëra këto janë pikëpyetje të mëdha. Dhe sektorë si energjia që janë kontribuues në ekonomi janë sektorë që varen shumë nga ecuria e motit. Po kështu edhe bujqësia nuk është e zhvilluar intensivisht. Turizmi përsëri, pandemia, problemet e pronësisë, ka strategji, por nuk është e qartë çfarë lloj turizmi duam ne. Prandaj pjesa e ekonomisë ka sfida të mëdha për ministret. Do të shikojmë sesi gratë do të marrin lidershipin dhe sa do kenë individualitet. Nuk mund të jenë të gjitha zgjidhje të kryeministrit,” deklaroi ajo.
Lidhur me rritjen e çmimit të bukës, ekspertja thotë se është një penalizim për qytetarët shqiptarë, pasi është një ndër produktet bazike.
“Buka për qytetarët shqiptarë është një penalizim i madh. Buka është më bazike te mënyra sesi ushqehemi ne. Konkurrenca duhet të bëjë studime. Aq më tepër që është një dakordësi e të gjitha bizneseve që çmimi duhet rritur. Në këtë rast duhet të ndërhyjë qeveria.
Janë disa mekanizma që qeveria duhet ti vënë një funksionim për të mbrojtur rritjen e çmimeve. Kur janë të pashmangshme qeveria duhet të mendojë mirë për shtresën në nevojë. Në një vend të varfër duhet të bëjë një lloj amortizimi”, tha Guxholli. g.v/abcnews.al