Ish-komandanti i UÇK-së Rrustem Mustafa, i njohur gjatë luftës si “komandant Remi”, është thirrur të paraqitet pranë zyrës së Prokurorisë Speciale për Kosovën. Lajmin e ka bërë të ditur avokati i Mustafës, i cili ka shtuar se klienti i tij, që drejtonte njësinë e UÇK-së në zonën e Llapit, ka pranuar që në janar të vitit të ardhshëm të paraqitet në Hagë.
“Zoti Mustafa ka pranuar thirrjen që më 14 janar 2019 të paraqitet pranë zyrës së Prokurorisë Speciale për Kosovën në Hagë, me qëllim për t’u marrë në pyetje”, ka bërë të ditur avokati Arianit Koçi përmes një postimi në rrjetin sociale Fejsbuk. Përfaqësuesi ligjor saktëson se zoti Mustafa është i gatshëm të sqarojë çdo rrethanë për të cilën po hetohet në Hagë. Avokati Koçi u ka kërkuar mediave që të mos e kontaktojnë klientin e tij mbi këtë çështje deri në një informacion të mëtejshëm./abcnews.al