Vuçiç: Jam i shqetësuar që Kosova do ta fillojë fushatën e njohjeve më 4 shtator

schedule14:07 - 1 Shtator, 2021

schedule 14:07 - 1 Shtator, 2021

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha sot në Bled të Ssllovenisë ku po mbahet Forumi Strategjik se dialogu Kosovë-Serbi do të vazhdojë në nivel teknik.

Ai tha se është i shqetësuar se Kosova do ta fillojë fushatën për njohje më 4 shtator, ditën kur skadon moratoriumi njëvjeçar i nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë në Washington gjatë administratës së Donald Trumpit, transmeton Gazeta Express.

“Jam i shqetësuar për informacionin se ata do të fillojnë një fushatë të re më 4 shtator për t’u njohur në organizatat ndërkombëtare. Është puna jonë të përgatitemi për këtë”, u tha Vuçiq gazetarëve pas pjesëmarrjes në panelin brenda Forumit Strategjik të Bledit, raporton B92.

Vuçiq tha se nuk foli me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, por tha se vetëm e pa atë nga larg.

Presidenti serb deklaroi se Ballkani Perëndimor do të jetë më shumë në agjendën e Bashkimit Evropian.

“Ju mund ta ndjeni këtë edhe këtu në Bled”, tha Vuçiq dhe falënderoi organizatorët që e lejuan atë t’i paraqiste idetë e Serbisë, por edhe rajonit të Ballkanit Perëndimor.

“Unë po thosha të vërtetën, pasi bëra disa pyetje pa përgjigje në lidhje me rritjen, çfarë do të ndodhë pas largimit të kancelares gjermane Angela Merkel”, shtoi ai pas takimit me Miroslav Lajçak dhe pjesëmarrjes në një panel mbi të ardhmen e BE-së.

Ai theksoi se Serbia nuk mund të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian derisa t’i zgjidhë mosmarrëveshjet me Kosovën dhe se askush nuk duhet të gënjejë apo mashtrojë për këtë çështje.

“Por është e rëndësishme që Evropa të tregojë se është ende tërheqëse, në mënyrë që kombet e tjera të kenë dëshirën për të qenë pjesë e Evropës”, tha ai./Express

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!