Kryesia e re e PD s’ka “vend” për kritikët, Gert Bogdani më i votuari

schedule17:09 - 31 Gusht, 2021

schedule 17:09 - 31 Gusht, 2021

Partia Demokratike ka përmbyllur procesin e riorganizimit të strukturave më të larta të saj, duke zgjedhur anëtarët e rinj të Kryesisë. Anëtarët e Këshillit Kombëtar zgjodhën përmes parimit një anëtarë një votë 15 anëtarët e kryesisë.

Ish-deputeti Gert Bogdani, rezultoi si kandidati më i votuar në radhët e anëtarëve të rinj të kryesisë, duke dhënë edhe një mesazh në funksion të një ambicjeje që ai vetë nuk e ka mohuar prej kohësh, të garojë si kandidati i demokratëve për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet lokale.

Edhe pse një prurje e re në korridoret e selisë blu, Agron Gjekmarkaj mundi të merrte votat për të qenë pjesë e kryesisë së PD. Nga fusha e medias në kryesi hyri edhe Fitim Zekthi. Krahas detyrës së nënkryetarit të grupit parlamentar, Ervin Salianji mori votat e anëtarëve të Këshillit për të qenë pjesë e kryesisë, teksa u rikonfirmuan emrat Flamur Nokës, Oerd Bylykbashit, Kreshnik Çollakut, Oriola Pampurit dhe Dhurata Çupit.

Hyrje të reja nga gratë në kryesi janë pedagogia Taulanta Jupi dhe anëtarja e Këshillit Kombëtar, Juela Hamati. Në kryesinë e re nuk kishte më vend për kritikët e Bashës, Enno Bozdo dhe Fatbardh Kadilli.

Ky i fundit ironizoi procesin, përmes një reagimi në rrjetet sociale. Jashtë kryesisë mbeti Jamarbër Malltezi, dhëndri i i ish-kryeministrit Berisha, i distancuar prej disa kohësh nga politika. Kundër procesit të rinovimit të lidershipit të tij u shpreh edhe Bujar Nishani, i cili humbi pozicionin e kreut të Këshillit Kombëtar, post që ju besua Edi Palokës.

Nishan akuzoi Bashën se përkundër pretendimeve për një masakër elektorale në 25 prill, po e rikthen PD-në kokëulur në Parlament.  Sipas ish-presidentit, me këto vendimarrje të Lulzim Bashës, demokratët do të qëndrojnë gjatë në opozitë. Nga 30 gushti, PD do të ketë katër nënkryetar, Alfred Rushaj, Enkelejd Alibeaj, Grida Duma dhe Jorida Tabaku, ndërkohë që Gazment Bardhi do të vijoi të jetë Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike.

1.Gert Bogdani

2.Agron Gjekmarkaj

3.Tomorr Alizoti

4.Ervin Salianji

5.Flamur Noka

6.Kreshnik Collaku

7.Oerd Bylykbashi

8.Aldo Bumci

9.Fitim Zekthi

10.Gent Strazimiri

11.Oriola Pampuri

12.Dhurata Cupi

13.Juela Hamati

14.Taulanta Jupi

15.Lindita Metaliaj

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!