Qeveria ruse ka lejuar hyrjen e anijeve ukrainase në detin Azov, duke lehtësuar disi marrëdhëniet e acaruara mes dy vendeve pas incidentit të muajit të kaluar në ujërat e Krimesë. Megjithatë, marina ruse nuk ka hequr dorë nga inspektimi i mjeteve lundruese të fqinjit të saj.
Rusia ka zhbllokuar pjesërisht rrugët detare në detin Azov, duke lejuar kalimin e anijeve ukrainase në ngushticën e Kerçit, 9 ditë pas incidentit që riktheu tensionet e ngrira mes dy vendeve. Lajmin e ka konfirmuar qeveria ukrainase, e cila ka bërë me dije se portet e Mariupolit dhe Berdianskut, të kontrolluara nga Kievi, janë të aksesueshme.
25 Nëntorin e kaluar autoritetet ruse sekuestruan 3 anije të marinës ukrainase dhe arrestuan ekuipazhet e tyre, me argumentin se kishin hyrë ilegalisht në ujërat e Krimesë së aneksuar, që tashmë konsiderohet pjesë e Rusisë. Por edhe përpara incidentit në detin e Zi, Kievi zyrtar kishte kritikuar disa herë Moskën se pengonte anijet e saj të vijonin kursin e lundrimit në detin Azov, i ndarë mes dy shteteve.
Sidoqoftë, lëvizja e fundit e Moskës ka gjasa të qetësojë disi tensionet dhe të rikthejë sado pak normalitetin në trafikun detar mes dy vendeve. Ministri ukrainas i Infrastrukturës, Vladimir Omeljan deklaroi të martën se anijet e nisura nga portet ukrainase po lundronin nëpër ngushticën e Kerçit.
“Ato u ndaluan dhe u kontrolluan nga rusët, sirkurse ndodhte më parë, por trafiku është pjesërish i lirë”, tha Omeljan.
Ndërsa për ekspertët e gjeo-politikës, heqja e bllokadës nuk është një tolerim i Kremlinit, por më tepër një manovër e tij. Për shkak se një bllokadë totale është e pamundur të justifikohet në planin ndërkombëtar, Rusia i është kthyer sistemit që kishte në fuqi përpara incidentit të 25 Nëntorit./abcnews.al