CAS hedh poshtë vendimin e FIFA-s, Nedim Bajrami mund të luajë për Shqipërinë

schedule11:35 - 30 Gusht, 2021

schedule 11:35 - 30 Gusht, 2021

Nedim Bajarami është i Shqipërisë. FSHF ka fituar gjyqin në CAS dhe e ka njoftuar diçka të tillë përmes një postimi në faqen zyrtare. Mesfushori i Empolit kishte luajtur me Zvicrën U21 dhe FIFA u bë pengesë. Tashmë CAS ka vendosur dhe Reja mund të buzëqeshë.

FSHF kishte bërë kërkesë në FIFA që Bajrami të lejohet të luante për Shqipërinë, por ajo u refuzua me arsyetimin se kishte luajtur me Zvicrën 4 ndeshje pas i kishte mbushur 21 vjeç. Sipas rregullave, ky kusht ishte pengesa. FSHF më pas vendosi ta ndjekë këtë çështje ligjërisht dhe në CAS ia ka dalë të fitojë.

NJOFTIMI – “Nedim Bajrami është tashmë zyrtarisht pjesë e Kombëtares shqiptare. Federata Shqiptare e Futbollit prej disa muajsh kishte nisur procedurat për të bërë të mundur aktivizimin e Bajramit me Shqipërinë por pas refuzimit të parë nga organet ndërkombëtare, Drejtoria Juridike e FSHF ju drejtua Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit Sportiv në Lozanë.

Pas përgatitjes së dosjes voluminoze, me të gjithë dokumentacionin e duhur, konsultimit me ekspertët më të mirë të drejtësisë dhe shumë orëve punë, Federata Shqiptare e Futbollit arriti të triumfojë në CAS duke arritur të sigurojë shërbimet një lojtari që do ta ndihmojë shumë skuadrën tonë Kombëtare siç është shprehur edhe trajneri Edoardo Reja.

Gjyqi i dytë ndërkombëtar që fiton Federata Shqiptare e Futbollit, kjo padiskutim një arritje shumë e rëndësishme për institucionin e futbollit në vend, që tregon se duke përgatitur procese të rregullta dhe punuar në mënyrë serioze, drejtësia triumfon, ashtu siç ishte rasti i gjyqit ndërkombëtar për ndeshjen Serbi-Shqipëri.

FSHF i uron mirë se ardhjen Nedim Bajramit dhe i uron suksese të mëdha me fanellën e shenjtë kuqezi”, shkruhet në njoftimin e bërë nga Federata Shqiptare e Futbollit. /abcnews.al