Olivier Giroud shënoi dy gola në fitoren e Milanit kundër Cagliari. Francezi pas ndeshjes u shfaq i lumtur me paraqitjen e tij dhe të skuadrës, si dhe foli për numrin 9, penalltinë dhe për Zlatan Ibrahimovic.
“Jam krenar që luaj për Milanin dhe në stadiumin ‘San Siro’. Ishte një emocion i madh. Jam i kënaqur me paraqitjen e ekipit, pasi e nisëm ndeshjen duke bërë lojën tonë. U lidhëm mirë në fushë dhe kishim mundësi të shënonim më shumë. Mbështetja e tifozëve ishte e jashtëzakonshme”.
“Numri 9? Kam dëgjuar se ka diçka speciale me fanellën me numrin 9, por nuk jam supersticioz. Besoj te vetja dhe aftësitë e mia. Si fëmijë kam parë Van Basten, Papin dhe Inzaghin dhe veshja e kësaj fanelle më bën të lumtur”.
“Penalltia? Kemi folu në dhomat e zhveshjes dhe unë jam ai që do i gjuajë penalltitë. Kisha shënuar gol dhe mund të lejoja edhe Theon, por jam sulmues dhe doja të shënoja përsëri gol”.
“Ibrahimovic është një kampion i madh, një personalitet i madh. Dua të luaj me të në fushë, por jam i lumtur edhe që po luaj me shokët e tjerë të skuadrës. Luajtëm shumë mirë dhe shpresoj të jetë njësoj me Ibrahimovic. Nuk ka rëndësi kush luan, e rëndësishme është të respektohen zgjedhjet e trajnerit”. / abcnews.al