Qeveria franceze duket se është dorëzuar përballë protestave të dhunshme. Kryeministri pezulloi për 6 muaj planin për rritjen e taksës ndaj karburantit. Megjithatë protestat do të vijojnë sipas paralajmërimeve që vijnë nga “jelekët e verdhë”.
Qeveria franceze pezullon për 6 muaj rritjen e taksës së karburantit që ka çuar në javë protestash të dhunshme. Kjo u bë e ditur nga kryeministri Edouard Philippe. Ai shtoi se zemërimi i qytetarëve duhet të dëgjohet dhe se masat nuk do të aplikohen derisa të zhvillohet një debat i denjë për ata që preken. Megjithatë këto lëshime nuk bindën kampin e protestuesve. Eric Drouet, i konsideruar si iniciatori i lëvizjes tha se të shtunën do të manifestohet përsëri.
“Kjo është mënyra e vetme për të treguar që pjesa më e madhe e ‘jelekëve të vërdhë’ nuk janë dakord me masat e njoftuara dhe do të vijojmë deri në arritjen e një ndryshime të vërtetë”, tha ai duke nënkuptuar se kërkon pezullimin e plotë dhe jo shtyerjen e vendosjes së taksës për karburantin.
Protestat goditën qytetet kryesore franceze duke shkaktuar dëme të konsiderueshme gjatë tre fundjavave të kaluara. Manifestimet me “jelekë të verdhë” tani janë rritur për të reflektuar zemërimin më të përhapur ndaj qeverisë. 3 persona kanë vdekur që nga fillimi i trazirave. Ndërsa dhuna dhe vandalizmi, sidomos pas shkatërrimit të statujave në Harkun e Triumfit të shtunën e kaluar janë dënuar gjerësisht.
“Jelekët e Verdhë” janë të ashtuquajtura për shkak se ata dolën në rrugë me veshje të verdha të dukshme që kërkohen të mbahen në çdo automjet nga ligji francez. Lëvizja është rritur përmes mediave sociale dhe ka përkrahës në të gjithë spektrin politik. Presidenti Emmanuel Macron u zgjodh dy vjet më parë me një mandat të jashtëzakonshëm për reforma gjithëpërfshirëse, por popullariteti i tij ka rënë ndjeshëm në muajt e fundit.
Ai akuzon kundërshtarët e tij politik për rrëmbimin e lëvizjes në mënyrë që të bllokojnë reformat. Macron mbajti një mbledhje urgjente të sigurisë të hënën. Ministrat thanë se nuk është përjashtuar asnjë mundësi. Megjithatë vendosja e gjendjes së emergjencës nuk është diskutuar gjatë takimit. Kreu i pallatit Elize gjithashtu anulloi vizitën e tij në Serbi pasi dëshiron të përqëndrohet tek kriza brenda vendit./abcnews.al