Ish-kryeministri Avdullah Hoti konsideron se situata me Covid-19 në Kosovë është tepër e rëndë, e për këtë përgjegjës është Qeveria Kurti. Hoti gjithashtu tha se Kurti e kritikonte LDK’në për menaxhimi ne pandemisë, e për gjendjen aktuale po hesht.
Gjithashtu Hoti kujtoi edhe kohën kur tabori i VV’së e kritikonte Zemajn duke ia ndryshuar edhe mbiemrin në mënyrë ofenduese. Atëkohë, Kosova qëndronte më mirë se sot në luftën kundër pandemisë.
Sipas tij, në kohën kur ai drejtonte shtetin, pushteti i tanishëm shfrytëzonte politikisht gjendjen me pandeminë për ta sulmuar ekzekutivin e tij, derisa thotë se tash kur gjendja është më e rëndë kryeministri Kurti dhe ata që sipas tij i shkojnë pas, po heshtin.
“Fatkeqësisht, këta që tani janë në pushtet e kanë shfrytëzuar politikisht këtë fatkeqësi për ta sulmuar qeverinë e kaluar të udhëhequr nga LDK-ja. Duke shfrytëzuar numrin e rasteve me fatalitet në verën e vitit të kaluar, shumë prej tyre shanin dhe kërkonin dorëheqjen e ministrit të shëndetësisë duke ia shtrembëruar mbiemrin në formë fyese. Në studio të disa medieve në atë kohë bëhej thirrje për arrestimin tim”, ka deklaruar ai.
“Në raportimin në Kuvend për 100 ditë të qeverisjes, kryeministri aktual krahasonte shifrat e të infektuarve dhe atyre me fatalitet në ditët kur e mori detyrën në fund të marsit 2021 me shifrat pas 100 ditë të qeverisjes për të treguar se si po e menaxhojnë̈ pandeminë. Sot, ky dhe ata që i shkojnë̈ pas janë të gjithë të heshtur”.
Hoti u ka bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen dhe të respektojnë masat e rekomanduara nga IKSHP.
“Unë u bëj thirrje qytetarëve të vaksinohen sa më parë dhe të respektojnë̈ masat e rekomanduara nga IKSHP. Është për keqardhje që vaksinimi është koncentruar në vetëm një qendër për komunë. Në “Planin për imunizim kundër COVID-19” të janarit 2021 në qeverinë e udhëhequr nga LDK-ja, vaksinimi ishte planifikuar të bëhej në rrjetin e qendrave të mjekësisë familjare dhe ambulanta në mbarë vendin”, ka thënë Hoti për Klan Kosovën.
“Përveç vaksinimit dhe respektimit të masave, nuk ka rrugë tjetër për tu përballur me situatën. Ne po e ndajmë fatin e gjithë botës në përballje me këtë pandemi. Lutemi dhe mbesim me shpresë që ta tejkalojmë këtë pandemi sa më parë së bashku”./ Gazeta Ekspres