Nga Liarda Kondakçiu,
Është ndarë nga jeta ditën e sotme, dirigjenti i njohur shkodran Kujtim Alija. Ai vuante prej vitesh nga një sëmundje e rëndë, të cilën nuk ka mundur dot ta përballojë.
Lajmin e trishtë e dha kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi përmes një postimi në rrjetet sociale, duke shprehur dhimbjen për këtë humbje të jashtëzakonshme për artin e kulturën shqiptare.
“Një humbje e jashtëzakonshme për artin e kulturën shqiptare, për Shkodrën e Shqipërinë. Nuk gjej fjalë për të përshkruar këtë ikje shumë të parakohëshme të mêsuesit tim, të mësuesit të të gjithë fëmijëve, të mjeshtrit të madh Profesor Kujtim Alija.
Pushofsh në paqe Mjeshtër i Madh, ngushellime familjes Alija për këtë humbje”, ka shkruar Ademi.
Por, kush ishte shkodrani që i dha jetën muzikës?
Kujtim Alija ishte një prej emrave me një kontribut shumë të madh në muzikën shqiptare. Ai vinte nga një familje shkodrane intelektualësh, të cilën e donin arsimin dhe artin.
Kjo ka bërë që Alija të ndjekë shkollën e muzikës për violinë për 12 vite në Shkodër. Më tej ka mbaruar Akademinë e Arteve në Tiranë nën drejtimin e dirigjentit, Artistit të Popullit, Rifat Teqja.
Pas diplomimit, ai është rikthyer në Shkodër, ku ka filluar punën në veprimtari të ndryshme muzikore. Deri te hapja e Festivalit të parë të këngës për fëmijë që u zhvillua në këtë qytete, më 10 maj-11 maj 1963.
Që nga ai moment, Kujtim Alija u kthye në simbolin e Festivalit për fëmijë në Shkodër. Përveç se dirigjent, ai u bë drejtuesi dhe organizatori, duke i dhënë mundësinë shumë brezave të vegjël artistësh të ngjiten në atë skenë.
Alija bëri që ky Festival të kalonte jo vetëm kufijt e qytetit, por edhe të Shqipërisë, duke mirëpritur konkurentë nga Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi.
Për 36 vite, ai dha kontrubutin e tij për zbulimin e talenteve shkodranë, të cilët sot radhiten te këngëtarët më të mirë shqiptarë. Këtu mund të përmendim Ervin Bushatin, Rosela Gjylbegun, Arilena Ara, Dorina Garuci etj.
Sakaq, Kujtim Alija bëri të mundur rifunksionimin e Bandës muzikore të qytetit, e cila për vite me radhë nuk ka qenë efektive. Pas konsolidimit, në Festivalet Kombëtare të Orkestrës Frymore në Sarandë, ky formacion fiton katër herë rresht, çmimin e parë. Në tetor 2009 në Giulianova-Itali, në “X Festival internazionale BANDE MUSICALI” fiton çmimin e parë akorduar nga Presidenti i Republikës italiane.
Ai gjithashtu riktheu në Shkodër, pas 17 vitesh, Orkestrën Simfonike, shumë të njohur në të gjithë vendin, duke kontribuar për gjallërimin e jetës artistike dhe kulturore në vend.
Artisti i madh shkodran nuk është mjaftuar vetëm me të vegjëlit, por dijet e tij muzikore i ka ndarë edhe me studentët në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, apo edhe në Univerisitetin e Arteve në Tiranë, duke shërbyer si pedagog në mësimdhënie.
Në vitin 2017, Kujtim Aliajt iu akordua titulli “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Republikës. Pas këtij vlerësimi, artisti u shpreh i kënaqur, por këto merita ia ka kaluar bashkëqytetarëve të tij. Ndërsa Bashkia e Shkodrës e ka nderuar me titullin “Mirënjohje e Qytetit”.
Sa i përket jetës personale, Kujtim Aliaj ishte baba i dy fëmijëve dhe një bashkëshort i përkushtuar, pavarësisht angazhimeve të shumta në muzikë.
Në një intervistë për një televizion lokal në Shkodër, ai është shprehur se familja e tij ka sakrifikuar shumë, pasi Aliajt i është dashur të jetë gjatë gjithë kohës në lëvizje.
“Unë përpiqem që atë pak kohë të lirë t’ia vë në dispozion familjes. Mundohem që atë pak kohë të lirë që kam pas dreke t’ju gjendem atyre pranë. Por thash edhe një herë që për një artistë, familja sakrifikon”, ka deklaruar para disa vitesh mjeshtri i muzikës.
Nuk mjaftojnë fjalët për të treguar të gjithë vlerat që Kujtim Alija i ka dhënë kulturës shqiptare, veçanërisht kontributin e jashtëzakonshëm që i ka dhuruar qytetit të jareve të famshme.
Të gjithë brezat që do të vijnë, do të kthejnë kokën në korin e fëmijëve dhe do të shohin që gjithmonë do të ngelet një vend bosh.
Edhe siç thotë kënga e njohur shkodrane “Lule të bukura”: “Sa ëndrra, sa kujtime, që na lidhin mos me u nda”, nga Kujtim Aliaj do të na mbesin shumë “kujtime”, të cilat do të gdhenden përjetësisht në rrugën e muzikës shqiptare./abcnews.al