Dy prej banorëve që u arrestuan pak ditë më parë nga policia me akuzën për shkatërrim prone dhe akte vandalizmi kanë lënë sot qelitë. Bëhet fjalë për Kujtim Yllin dhe Romeo Llullën. Gjykata e ka shpallur të paligjshëm arrestimin e Yllit, ndërsa ka lënë në arrest shtëpie Llullën.
Gjykata ka liruar nga burgu pas një seancë që zgjati gati dy orë njëri nga protestuesit e arrestuar tre ditë më parë, ndërsa për të dytin vendosi masën e sigurisë ‘arrest shtëpie’. Trupa gjykuese e kryesuar nga Rexhina Merlika, vendosi që asnjë media të mos ishte në sallën e gjyqin, ndërsa liroi Kujtim Yllin dhe la në “arrest shtëpie” Romeo Llulla. Sipas gjyqtares, akuzat prokurorisë dhe policisë nuk qëndrojnë për Kujtim Yllin, pasi nuk janë gjetur prova që e implikojnë atë. Ndërkohë u kërkua nga prokuroria që të gjejë prova të tjera shtesë për Llullën për shkatërrim prone dhe tubim i palishëm. Deputeti i PD-së Klevis Balliu i bëri thirrje Edi Ramës të heqin dorë nga projekti dhe të negociojnë me banorët e Unazës së Re.
Klevis Balliu, deputet i PD: “Dua ti bëj thirrje qeverisë së shtetit, qeverisë së Erion Veliajt të tërhiqen nga këto akte barabre që janë një sulm jo vetëm ndaj protestës, por edhe ndaj vetë sistemit demokratik që është vendosur në Shqipëri, që e kanë vendosur këta qytetarë që pikërisht me protestat dhe me luftën që ata bënë kundër regjimit komunist.”
Protestuesi: “Përse e morën vëllain tim aty? Ishim 3000 protestues aty që po kërkonim shtëpitë. Çfarë po kërkojmë neve, vëllai im ça rrëzoi? Rrëzoi një gardh atje dhe këta e kanë lënë pa fakte pa gjë.”
Më herët policia ishte kujdesur trupa shtesë për siguruar e parandaluar ndonjë incidente të mundshëm ndërmjet familjarëve dhe forcave të rendit. Jashtë ambienteve të gjykatës së Tiranës ishin të pranishëm familjarë të dy personave të ndaluar më herët nga uniformat blu si edhe deputet të PD.
Banorët e Unazës së Re para tre netësh protestuan duke bllokuar rrugën me blloqet e betonit, thyen sinjalistikën dhe prishën rrethimin e kantierit të firmës së ndërtimit. Pas tubimit, komisariati Nr.6., prangosi Kujtim Ylli dhe Romeo Llulla, ndërsa u proceduan edhe 20 persona të tjerë Ndërkohë që nga banorët e Unazës së Re janë në burg tre persona. I pari 18-vjeçari Daniel Drobaj që i hodhi kapsollën polices Ina Nuka para Kuvendit në protestën e 22 nëntorit, ndërsa në qeli janë lënë edhe Dorjan Protoduari, dhe Ilias Sketiraj./abcnews.al