Dy protestuesit e arrestuar me akuzën se dëmtuan rrethimin e kantierit të punës tek zona e Unazës së Re dalin sot për masë sigurie në Gjykatën e Tiranës. Bëhet fjalë për shtetasit Kujtim Ylli dhe Romeo Lula. Ndaj tyre rëndojnë akuzat për “Organizim, pjesëmarrje në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, “Pengim i qarkullimit të mjeteve dhe transportit”, “Shkatërrim i pronës” dhe “Prishja e qetësisë publike”.
Arrestimi i tyre erdhi pas protestës së pasdites të 29 nëntorit, ku qytetarët protestues prishën sinjalistikën rrugore dhe rrethimin e kantierit të punimeve për Unazën e Madhe. Për të njëjtën protestë ka nisur procedim penal për 20 persona të tjerë, nga mosha 15 deri në 62 vjeç. Ata akuzohen se në bashkëpunim kanë organizuar një tubim të paligjshëm, bllokim të aksit rrugor për rreth 60 minuta, dhe kanë dëmtuar sinjalistikën rrugore./abcnews.al