Policia e Tiranës ka paralajmëruar tifozët që të mos shkaktojnë incidente në derbin e sotëm. Priten kontrolle të forta, sidomos për të mos lejuar që në stadium të hyjnë lëndë plasëse.
Është një nga ndeshjet me interesimin më të lartë. Edhe policia e di mirë sesa i rrezikshëm mund të bëhet hera-herës derbi i kryeqytetit, ndaj edhe synon të marrë të gjitha masat për të mos lejuar incidente. Një nga shqetësimet më të mëdha lidhet me përdorimin e mundshëm të lëndëve plasëse, si kapsollat, në stadiumin “Selman Stërmasi” për ndeshjen e Superligës të orës 18:00, ndaj edhe bëhet një paralajmërim. Ai që flet është zv. drejtori i Policisë së Tiranës, Dhimitraq Ziu.
“I bëj thirrje të gjithë spordashësve të gjitha shërbimeve dhe qytetarëve që të qëndrojnë larg mjeteve piroteksnike. Mos të marrin guximin të afrohen në stadium me lëndë piroteknike, fishekzjarre. Po ashtu kemi porositur të gjitha shërbimet, në të gjitha rrugicat, në të gjitha rrugët ku do të kalojnë tifozët do të ushtrohet kontroll dhe do të mbahet kontroll për mbajtjen e fishekzjarreve”, tha ai.
Në “Selman Stërmasi” priten disa mijë tifozë, por për fat shumica dërrmuese do të jenë të Partizanit, ndërsa ultrasit e palës tjetër kanë deklaruar se nuk do të shkojnë. Tifogrupi “Tirona Fanatiks” bëri me dijë se do ta bojkotojë derbin për shkak se nuk dëshiron të jetë në inferioritet numerik në stadiumin që e quan shtëpia e tij. Policia pritet të marrë edhe masa të tjera të forta, në mënyrë që të mos ketë skena siç ndodhi në Korçë, në ndeshjen Skënderbeu-Partizani, në javën e parë të Superligës./abcnews.al