DOSSIER/ 40 vjet më pas, si i shpërfilli regjimi i Enver Hoxhës demonstratat në Kosovë, ndikimi i shtypit të huaj

schedule10:35 - 21 Gusht, 2021

schedule 10:35 - 21 Gusht, 2021

Nga Hasan Bello     

Që në vitet e Luftës së Dytë Botërore çështja e Kosovës ishte një nyje gordiane e cila vendosi për fatin e shumë nacionalistëve, intelektualëve dhe për disa pjestarë të lëvizjes komuniste, që ndryshe nga pjesa dërrmuese e anëtarëve të PKSH-së, kishin sado pak ndjeshmëri kombëtare.

Kjo do të bëhet shkak që ata të gjendeshin përpara togave të ekzekutimit, burgjet dhe kampet e internimit anë e mbanë Shqipërisë.

Në vitet e para të luftës për realizimin e kësaj fushate spastrimi u kujdesën personalisht emisarët jugosllavë që Tito dhe PKJ dërguan pranë Shtabit të Përgjithshëm partizan e PKSH-së, ndërsa pas vitit 1944, çështja e Kosovës konsiderohej tabu.

Në tekstet shkollore të të gjitha cikleve ne edukoheshim me përkufizimin gjeografik të Shqipërisë politike, e cila fillonte dhe mbaronte nga Vermoshi në Konispol.

Një moment kyç që do të bëjë që çështja e Kosovës të rikthehet në diskursin publik në periudhën e regjimit komunist janë demonstratat e pranverës së vitit 1981.

Deri në këtë periudhë, përveç sektorëve përkatës pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme, Komitetit Qendror të PPSH-së dhe Sigurimit të Shtetit, për këtë problem nuk guxonte të fliste askush.

Në këtë shkrim do të hedhim një vështrim të përgjithshëm mbi qëndrimin politik e diplomatik të shtetit shqiptar ndaj demonstratave që shpërthyen në Kosovë në pranverën e vitit 1981, duke u bazuar në shtypin dhe dokumentacionin arkivorë.

***

Pasqyrimi i demonstratave të vitit 1981 në shtypin e kohës dhe qëndrimet publike të Enver Hoxhës

Ndërsa në dokumentacionin arkivor konstatohet një lloj frike e Enver Hoxhës dhe e drejtuesve të lartë të shtetit për përshkallëzimin e demonstratave të pranverës së vitit 1981 dhe pasojat që ato mund të kishin për të gjithë rajonin, në shtypin shqiptar, këto zhvillime u pasqyruan me shumë vonesë.

Kështu, artikulli i parë i organit zyrtarë të KQ të PPSH-së, gazetës “Zëri i Popullit” dhe i asaj të Frontit Demokratik, gazetës “Bashkimi” mbi ngjarjet në Kosovë do të botohet vetëm pas tre javësh nga fillimi i demonstratës.

Më 3 prill të 1981 në faqen e fundit të këtyre gazetave, me pak rreshta, duke iu referuar TANJUG-ut të datave 11 dhe 26 mars, u botua në formë lajmi diçka e vogël, ku duket që regjimi kërkonte të shprehte një lloj asnjëanësie, me titull “Demonstrata në Prishtinë”. Pas pesë ditësh, gazetat në fjalë botuan nga një artikull tjetër të shkurtër, me titull “Mbi ngjarjet në Kosovë”.

Ky qëndrim shprehte hapur jo vetëm indiferencën konstante të PPSH-së dhe Enver Hoxhës ndaj çështjes së Kosovës, por edhe një lloj frike. Kërkesat e lëvizjes studentore ishin vazhdim i përpjekjeve të kahershme e të drejta për afirmimin e popullsisë shqiptare brenda ish-Jugosllavisë dhe, ngritjen e statusit juridik të Krahinës Autonome të Kosovës në Republikë.

Mirëpo një aspiratë e tillë, shihej me skepticizëm, pse jo dhe me armiqësi nga Enver Hoxha, i cili ishte kundër krijimit të dy republikave shqiptare në Ballkan. Në këtë pikë, interesat e tij personale e politike përputheshin plotësisht me ato të Serbisë dhe estabilishmentit të saj shovinist.

Për shkak të jehonës së madhe që demonstratat e 1981 patën në shtypin ndërkombëtar, i gjendur nën presion, Enver Hoxha u detyrua të bënte një farë lëshimi.

Në fund të muajit prill, gazeta “Zëri i Popullit” filloi të botojë lajme për zhvillimet në Prishtinë nën titullin “Shtypi botorër rreth ngjarjeve në Kosovë”.

Artikulli i parë redaksional i gazetës “Zëri i Popullit” për këto ngjarje u botua më datën 8 prill me titull “Pse u përdorën dhuna policore dhe tanket në Kosovë”, ku për herë të parë përkraheshin kërkesat e popullsisë shqiptare. Ndërsa në një artikull tjetër redaksional të “ZP” me titull “Kërkesa për t`i njohur Kosovës statusin e Republikës është e drejtë”, i cili u përkthye e botua edhe në gjuhën frënge, dukej qartë se Enver Hoxha dhe PPSH-ja e kishin kuptuar se, qëndrimi i tyre i deritanishëm ishte krejtësisht i gabuar dhe nuk ishte përfillur aspak nga lëvizja studentore, intelektuale dhe patriotike kosovare.

Nga një vështrim i përgjithshëm konstatohet lehtësisht se qëndrimi i shtypit shqiptar ndaj demonstratave në Kosovë ishte shumë i rezervuar. Ai, as që mund të krahasohet me vëmendjen që këto demonstrata patën në shtypin ndërkombëtar. Ky i fundit botoi me qindra artikuj dhe analiza jo vetëm gjatë vitit 1981, por edhe dy tre vite pas tyre. Ndërsa në shtypin e Tiranës u botuan vetëm 13 artikuj: dy në prill, dy në maj; të tjerët gjatë qershorit dhe i fundit në fillim të korrikut.

Nga këta artikuj 10 prej tyre janë redaksionalë, nëse fusim këtu edhe atë të nënshkruar nga disa intelektualë të besuar të regjimit komunist.

Në gjuhë të huaj, përveç artikullit të mësipërm u përkthye në gjuhën frënge edhe një broshurë, që përfshinte 13 artikujt që ishin botuar në shtypin shqiptar.

Personalisht Enver Hoxha për demonstratat e 1981-shit do të shprehet vetëm në një Plenium të KQ, të mbajtur më 16 qershor, për të diskutuar “Projektdirektivat e planit pesëvjeçar 1981-1985”.

Në fjalën e mbylljes, ai do t`i drejtohet anëtarëve të partisë se duhej të ishin të bindur se për këtë problem ishin mbajtur qëndrimet e duhura. “Byroja Politike e KQ dhe Qeveria Popullore Socialiste e Shqipërisë, sikurse jeni në dijeni, ka mbajtur qëndrime në organin qendror të Partisë, “Zëri i Popullit” për të gjitha këto probleme, si dhe në gjithë shtypin tjetër të vendit.

Qëndrimet tona kanë qenë të përshtatshme, serioze dhe gjakftohta dhe, siç e dini nga ana jonë i është kërkuar qeverisë jugosllave që kjo të ndalojë terrorin dhe politikën e gjenocidit kundër shqiptarëve që jetojnë në Jugosllavi, të cilëve tu jepen të gjitha të drejtat brenda kushtetutës”.

Ky ishte i vetmi reagim e qëndrim publik i Enver Hoxhës dhe i drejtuesve të lartë të shtetit komunist shqiptar.

Përveç kësaj, në emër të mos ndërhyrjes në punët e brendshme të Jugosllavisë, nuk pati asnjë protestë, asnjë reagim në forumet ndërkombëtare, siç ishte OKB-ja apo ndonjë organizatë tjetër analoge, ku zëri i Shqipërisë mund të dëgjohej jasht apo brenda vendit. Kjo vihet re edhe në luajalitetin që u tregua në raport me ambasadorin dhe trupin diplomatik jugosllav të atashuar pranë qeverisë shqiptare.

Asnjëri prej tyre nuk u thërrit për të kërkuar sqarime, ose për t`i dhënë ndonjë “sugjerim” në emër të ruajtjes së paqes brenda Jugosllavisë.

Enver Hoxha dhe PPSH-ja vazhdoi ta trajtonte çështjen e Kosovës dhe të popullsisë shqiptare si një çështje të brendshme të Jugosllavisë, që kjo e fundit duhej ta zgjidhte sipas interesave të saj politike.

Nuk ishte aspak rastësi, që përfaqësuesi i Shqipërisë në OKB, në fjalimin e mbajtur në sesionin e 32-të të Asamblesë së Përgjithshme të kësaj organizate, ndërsa foli për mbrojtjen e popujve të ndryshëm të Afrikës dhe Azisë, nuk tha as gjysmë fjale për bashkëkombasit e tij.

Ky fjalim ashtu si shumë të tjerë ishte kontrolluar dhe korrigjuar personalisht nga Enver Hoxha. Prandaj heshtja ndaj protestave në Kosovë ishte vendim direkt i tij.

(vijon)

*Përmbajtja është përgatitur ekskluzivisht për abcnews.al, ndalohet riprodhimi online pa lejen me shkrim të redaksisë!
** Titulli origjinal i ketij shkrimi: “Qendrimi i shtetit shqiptar ndaj demonstratave ne Kosove ne vitin 1981”.

/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!