Me argumentin se në referendumin e vitit 2016 votuan pro qëndrimit në BE, partitë politike në Skoci janë rreshtuar kundër marrëveshjes së Breksit të arritur nga kryeministrja May, me argumentin se shpërfill këndvështrimin e qytetarëve skocezë.
Partitë politike në Skoci kanë vendosur të bashkohen kundër partisë Konservatore të kryeministres britanike Theresa May, në shenjë proteste ndaj planit të saj për t’u larguar nga Bashkimi Europian. Grupi i partive, ku nuk bëjnë pjesë vetëm konservatorët e Edinburgut, synon të shprehë irritimin e qytetarëve skocezë, të cilët në vitin 2016 votuan pro qëndrimit në BE.
Për grupimin politik, marrërveshja e Brexit e promovuar nga kryeministrja Mej është negociuar pa marrë parasysh këndvështrimin e skocezëve. Sidoqoftë, nisma nuk ka një efekt direkt në procesin e Brexit, por është një mënyrë për të shprehur indinjatën për faktin se plani i kryeministres do të dëmtojë ekonominë skoceze, që përbën 8 për qind të ekonomisë britanike në tërësi.
Grupi i subjekteve politike do të propozojë një mocion kundër marrëveshjes së May, që do të diskutohet në Parlamentin skocez, që ka kompetenca sa i takon arsimit, shëndetësisë dhe taksave. Ndërkohë, si për t’i vënë shkopin ndër rrota shefes së qeverisë, një grup politikanësh të hershëm të Parlamentit britanik kanë propozuar një amendament për ta penguar marrëveshjen për largimin nga BE-ja, që do të diskutohet javën e ardhshme. Por në të njëjtën kohë, amendamenti do të përjashtojë edhe opsionin e shkëputjes nga kontinenti i vjetër pa një marrëveshje./abcnews.al