Puna e detyruar nën regjimin nazist në 5 vende të rajonit, përfshirë edhe Shqipërinë, vjen e rrëfyer me gjuhën e 10 artistëve në Muzeun Historik Kombëtar përmes ekspozitës “MISSING STORIES” organizuar nga Tirana Art Lab.
Kuratorja shqiptare Adela Demetja thotë se zgjodhi për këtë projekt artistët Remijon Pronja dhe Donika Cina, pasi ata njihen për kërkimin artistik mbi të shkuarën. Njëri tregon përmes video-instalimit ”Gjatësia e valës”, fatin e elektricistit Abedin Destani rrëfyer nga të afërmit.
Artistja Donika Cina rrëfen fatin e stërgjyshit të saj, i cili u vra nga nazistët. Ajo tregon përmes intervistave të disa brezave se si ata refuzuan titullin e shpalljes hero.
“Familja merr një vendim që të mos kërkojë të drejtën e tij si hero lufte. Sepse me këtë vinin edhe disa përparësi të tjera. Një vendim ideologjik që merr vetë familja.”
Ky instalacion pasqyron shkallët e vdekjes që e kanë zanafillën tek gurorja e “Mauthausen” ku punëtorët detyroheshin të ngjisnin 360 shkallë me ngarkesë.
Kjo ekspozitë sjell anën njerëzore dhe vështirësinë për t’ia dalë në ato kampe famëkeqe. Por nuk mungon edhe kritika e artistëve gjermanë, ku përmes vizatimeve të Agnes Lukacs, e cila ishte pjesë e kampeve, ky artist trajton kundërvënien ndaj çnjerëzores në regjimet totalitare dhe rikthimin e dinjitetit të atyre që trajtohen në këtë punë.
Ekspozita pas rrugëtimit në Serbi, Mal të zi dhe Shqipëri do të përmbyllet në Gjermani, me dy prezantime në muze të rëndësishëm. /abcnews.al/