Pritja për Pavarësinë: Mpakja e vendit nga emigracioni, këmbanë alarmi

schedule21:02 - 28 Nëntor, 2018

schedule 21:02 - 28 Nëntor, 2018

Në 106 vjetorin e shtetit shqiptar, presidenti i Republikës nënvizon si sfida frenimin e emigracionit dhe dialogun politik. Në fjalën e tij në pritjen tradicionale shtetërore, Presidenti Meta tha se popull i mençur është ai që di të nxjerrë mësime nga historia.

Sipas traditës, Presidenti i Republikës organizoi pritjen shtetërore me rastin e ditës së Flamurit e shpalljes së Pavarësisë. 106 vjetori i shtetit shqiptar është momenti për reflektim dhe Kreu i Shtetit Ilir Meta në fjalën e rastit, foli për nevojën e nxjerrjes së mësimeve nga historia, por edhe kujtesën se integrimi në Bashkimin Europian është një mission i papërmbushur për shqiptarët.

“Popuj të mençur dhe të suksesshëm janë ata që dinë të krenohen me vlerat historike, por edhe që dinë të nxjerrin mësime nga historia e tyre. Historia është libër i madh. Është kujtesë për gjithë brezat. Historia është plot mësime për të mos u harruar. Është plot me vlera për t’u ruajtur e zhvilluar.

Në rrugëtimin e tij historik e kulturor populli shqiptar është një prej identiteteve më autoktone dhe autentike në Evropë.

Nëse historia në mënyrë të pamëshirshme dhe të padrejtë tentoi të na ndante, me luftën, sakrificat dhe përpjekjet e paepura, populli shqiptar arriti të mbijetojë dhe të afirmohet si identitet historik, kulturor dhe europian deri në ditët tona.

Kohët kanë ndryshuar, por trashëgimia e vlerave identitare dhe kulturore, si dhe parimeve shtetformuese, që lanë pas që nga heroi ynë kombëtar Skënderbeu e deri tek Ismail Qemaili dhe shumë patriotë mendjendritur të Rilindjes sonë kombëtare, janë apeluese e aktuale edhe sot e kësaj dite. Kthimi i Shqipërisë dhe shqiptarëve në familjen evropiane është një mision ende i papërmbushur tërësisht për ne“.

Kreu i shtetit nënvizoi si sfidë jetike për të ardhmen e vendit, mpakjen e Shqipërisë për shkak të emigracionit. E drejtoi gishtin e përgjegjësisë tek klasa politike

“Ne shqiptarët, jemi një nga popujt me nivelin më të lartë të emigracionit në botë, por fatmirësisht ia kemi dalë të ushqejmë dhe të përçojmë brez pas brezi, kudo ku jetojmë, dashurinë për atdheun dhe identitetin kombëtar, për gjuhën dhe kulturën, për traditat dhe zakonet e të parëve tanë. Prandaj, edhe diaspora jonë sot është një vlerë e jashtëzakonshme e kombit shqiptar.

Duhet të bëjmë çdo përpjekje që Shqipëria të mos mpaket nga emigracioni që po gërryen çdo ditë energjinë dhe potencialin e rinisë shqiptare, dhe bashkë me të edhe aftësinë ripërtëritëse e të pazëvendësueshme për përparimin e nesërm të vendit.

Kjo është një këmbanë alarmi për klasën politike, për të ofruar besim, siguri e mundësi më të mira, më të shpejta e më të qëndrueshme për të rinjtë dhe për forcat më krijuese të shoqërisë”.

Klasës politike i sugjeron një kërkesë të njohur që përsëritet shpesh edhe nga ndërkombëtarët, bashkëpunimin.

“Sfidat aktuale që po përjetojmë kërkojnë klimë bashkëpunuese, ndjenjë të lartë të unitetit dhe përgjegjësisë kombëtare.

Shqiptarët kanë nevojë për forcimin e bashkëjetesës demokratike, për një klimë politike konstruktive, për një paqe sociale ku respekti ndaj lirive, të drejtave dhe dinjitetit njerëzor duhet të jetë prioritet i të gjithëve.

Duhet reflektim nga të gjithë, për një mjedis më bashkëpunues, më gjithëpërfshirës, për më shumë siguri juridike për pronën, për punën dhe të drejtat e njeriut.

Funksionimi i shtetit ligjor dhe institucioneve të pavarura kërkon dialog dhe bashkëpunim të qëndrueshëm mes shumicës dhe opozitës”.

Pritjes shtetërore nuk iu bashkua Lulzim Basha. Kryetari i PD kishte zgjedhur të festonte ditën e Pavarësisë me shqiptarët në Milano. /abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!