Çfarë është ligji i Sheriatit që zbatojnë talebanët? Ç’do të thotë për gratë në Afganistan?

schedule14:58 - 18 Gusht, 2021

schedule 14:58 - 18 Gusht, 2021

Talebanët thonë se do të qeverisin Afganistanin sipas një interpretimi të rreptë të sistemit ligjor të Islamit të quajtur ligji i Sheriatit.

Në konferencën e parë për shtyp pas marrjes së kontrollit në Kabul, një zëdhënës i talebanëve tha se çështje të tilla si media dhe të drejtat e grave do të respektohen “brenda kornizës së ligjit islam”, por grupi ende nuk ka dhënë ndonjë hollësi se çfarë do të thotë në praktikë.

Kur ishin për herë të fundit në pushtet, talebanët prezantuan ose mbështetën dënime të tilla si ekzekutimet publike të vrasësve të dënuar dhe kurorëshkelësit, shkruan BBC, përcjell abcnews.al.

Çfarë është Sheriati?

Ligji i Sheriatit është sistemi juridik i Islamit. Ai rrjedh nga Kurani, teksti qendror i Islamit dhe fetvatë, vendimet e dijetarëve islamë.

Sheriat do të thotë “rruga e qartë”. Ligji i Sheriatit vepron si një kod jetese të cilit të gjithë myslimanët duhet t’i përmbahen, përfshirë lutjet, agjërimin dhe dhurimet për të varfërit.

Ai synon të ndihmojë myslimanët të kuptojnë se si ata duhet të udhëheqin çdo aspekt të jetës së tyre sipas dëshirave të Zotit.

Çfarë do të thotë kjo në praktikë?

Sheriati mund të informojë çdo aspekt të jetës së përditshme për një mysliman. Për shembull, një mysliman që pyet veten se çfarë të bëjë nëse kolegët  i ftojnë në lokal pas punës, mund t’i drejtohet një dijetari të Sheriatit për këshilla për të siguruar që të veprojnë brenda kuadrit ligjor të fesë së tyre.

Fushat e tjera të jetës së përditshme ku myslimanët mund t’i drejtohen Sheriatit për udhëzime përfshijnë ligjin familjar, financat dhe biznesin.

Cilat janë disa nga dënimet e ashpra?

Ligji i Sheriatit i ndan veprat penale në dy kategori: veprat penale “hadd”, të cilat janë krime të rënda me dënime të caktuara dhe krime “tazir”, ku dënimi lihet në diskrecionin e gjykatësit.

Veprat penale Hadd përfshijnë vjedhjen, e cila mund të dënohet me amputimin e dorës së autorit, dhe tradhtinë bashkëshortore, e cila mund të mbajë dënimin me vdekje me gurë.

A mund të ekzekutohen myslimanët për konvertim?

Braktisja, ose largimi nga besimi, është një çështje shumë e diskutueshme në botën myslimane dhe ekspertët thonë se shumica e studiuesve besojnë se dënohet me vdekje.

Por një pakicë e mendimtarëve myslimanë, veçanërisht ata të angazhuar me shoqëritë perëndimore, argumentojnë se realiteti i botës moderne do të thotë që “ndëshkimi” duhet t’i lihet Zotit  dhe se vetë Islami nuk kërcënohet nga braktisja. Vetë Kurani deklaron se nuk ka “detyrim” në fe.

Si merren vendimet?

Ashtu si çdo sistem ligjor, Sheriati është kompleks dhe praktika e tij varet plotësisht nga cilësia dhe trajnimi i ekspertëve. Juristët islamikë nxjerrin udhëzime dhe vendime. Udhëzimi që konsiderohet një vendim ligjor formal quhet fetva.

Ekzistojnë pesë shkolla të ndryshme të ligjit të Sheriatit. Katër doktrina suite janë: Hanbali, Maliki, Shafi’i dhe Hanafi, dhe një doktrinë shiite, Shia Jaafari.

Pesë doktrinat ndryshojnë në mënyrën se si ata interpretojnë fjalë për fjalë tekstet nga të cilat rrjedh ligji i Sheriatit. g.v/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!