Struga u bë fituese e Kupës së Pavarësisë në futboll. Skuadra e shqiptarëve të Maqedonisë arriti suksesin e dytë radhazi, në ndeshjet e luajtura në Korçë.
Tjetër vit dhe tjetër stadium, por fituesi mbeti i njëjti. Struga bëri sërish të vetën Kupën e Pavarësisë, në ditën e festës së Flamurit.
Skuadra e shqiptarëve të Maqedonisë triumfoi 1-0 në finalen e luajtur në Korçë ndaj Otrantit të Ulqinit.
Siç është tashmë traditë, Kupa u diskutua mes katër skuadrave, Skënderbeut të Korçës që përfaqësoi Shqipërinë, 2 Korrikut të Prishtinës në emër të Kosovës, Strugës nga Maqedonia dhe Otrantit të Ulqinit, të Malit të Zi.
Në gjysmëfinale, Struga mundi 1-0 Skënderbeun vendas, me gol të shënuar nga Agon Hajredini, ndërsa ndeshja tjetër u vendos pas penalltive, ku Otranti fitoi 6-5 ndaj 2 Korrikut.
Në finale, ishte goli i Llogës që I dha triumfin Strugës, një ekipi të Kategorisë së Dytë të Maqedonisë.
Edhe lojtari më i mirë i Kupës ishte i Strugës dhe pikërisht Nijaz Lena, ish-futbollist i Flamurtarit apo Kukësit.
Me çmimin e Lojës së Ndershme u vlerësua 2 Korriku i Prishtinës.
Ky ishte edicioni i 10-të i zhvillimit të Kupës së Pavarësisë, dhe hera e parë që ai u diskutua në Korçë. /abcnews.al