E dëmtuar nga taksa e qeverisë së Kosovës, Serbia i ka kërkuar CEFTA-s që të ndërhyjë për zgjidhjen e problemit. Kryeministrja Ana Bërnabiç ka paralajmëruar se në rast dështimi, Beogradi do t’i drejtohet Gjykatës së Arbitrazhit.
Qeveria e Serbisë i ka kërkuar konsultime sekretariatit të CEFTA-s për shkak të taksës nga Kosova. Këtë e ka bërë të ditur kryeministrja, Ana Brnabiç, e cila kishte paralajmëruar padi kundër Kosovës dhe ankesa. Serbia i ka dhënë një afat prej 90 ditësh CEFTA-s që të nis bisedimet.
Ana Brnabiç, kryeministre e Serbisë: “Nëse këto konsultime nuk nisin, apo problemi nuk zgjidhet në 90 ditët e ardhshme, sa është afati kohor, atëherë ne do të nisim proces para Gjykatës së Arbirtazhit”.
Serbia kërkon një reagim të shpejtë dhe këtë ankesë ia ka nisur edhe sekretarit të përgjithshëm të OKB-së.
Ana Brnabiç, kryeministre e Serbisë: “Serbia do të luftojë me mjetet e drejtësisë dhe në bazë të ligjeve ndërkombëtare kundër vendimeve të tilla. Serbia nuk do të bjerë pre e provokimeve dhe nuk do të marrë kundër masa. Do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me partnerët e sidomos me Bosnjën, që është e prekur nga këto masa të pakuptimta të Prishtinës”.
Serbia deri më tani ka alarmuar shtete të ndryshme për taksën e Kosovës, pavarësisht akuzave se Prishtina ka mbështetjen ndërkombëtare. /abcnews.al