Sipas ministrit të Mjedisit dhe Turizimit, Blendi Klosi, nuk është iluzion që në Shqipëri të vijnë 10 milionë turistë. Në “Mbrëmje Ide” nga Mirela Milori, ai tha se sfida është që turistët që vijnë të mos largohen dhe vendi jonë të bëhet destinacion i qëndrueshëm turistik.
“Nuk ka ndonjë iluzion për punën e 10 milionë turistëve. Është një progresion, një rritje normale. Para 4 vitesh kanë qenë 4 milionë, vjet ishin 6. Nëse vazhdojmë me këtë progresion ne shkojmë në 10 milionë. A jemi të gatshëm të presim 10 milion? Kjo është sfida. Këta që vijnë të mos largohen nga Shqipëria e të mos vijnë më. Të krijojmë një destinacion të qëndrueshëm turistik”, tha ministri Klosi.
Ndër të tjera, Klosi tha në studio se Shqipëria ka potencialin që të zhvillojë turizëm 12-mujor. Sipas tij Shqipëria nuk është e ndotur, por e papastër.
“Shqipëria nuk është e ndotur. Shqipëria është e papastër. Ne kemi probleme me menaxhimin e mbetjeve urbane. Nëse eleminohen venddepozitimet ilegale pranë lumenjve do kemi një situatë tjetër”, tha Klosi./abcnews.al