Por Alban Hoxha mund të marrë një dënim nga klubi i tij, duke rrezikuar kështu mospjesëmarrjen në derbin e së premtes. Në këtë ndeshje, Partizani mund të ketë dy mungesa të rëndësishme, pasi rrezikon edhe zv/kapiteni Lorenc Trashi.
Nuk qenka koha më e mirë për të luajtur një derbi. Partizani rrezikon të mos ketë dy prej lojtarëve kryesorë në sfidën ndaj Tiranës në “Selman Stërmasi”, ndeshje jo pak përcaktuese në pretendimet për titull. Përveç portierit Alban Hoxha, i cili u ndalua nga policia dhe kaloi dy net në komisariat, ekziston mundësia që edhe Lorenc Trashi të mos dalë dot në fushë.
Pra, bashkë me kapitenin, edhe zv/kapiteni. Trashi mund të dënohet nga Komisioni i Disiplinës në Federatë pasi në fund të ndeshjes ndaj Flamurtarit, u acarua me një tifoz vlonjat, duke tentuar të konfliktohej me të, diçka që mendohet se është shënuar në raport nga zyrtarët. Neni 53 i Kodit të Disiplinës parashikon pezullim për 2 ndeshje dhe gjobë prej 500 000 lekësh të reja. Vetë Trashi është mbrojtur duke thënë se u provokua nga tifozi në fjalë gjatë gjithë ndeshjes.
Klubi i Partizanit sqaron se Trashi do të shkojë në Federatë për t’u sqaruar, ndërsa akuzon gjyqtarin që nuk e ndërpreu asnjëherë takimin, pavarësisht ofendimeve ndaj lojtarit. Derbi mes Partizanit dhe Tiranës luhet këtë të premten në orën 18:00, në stadiumin “Selman Stërmasi”, ndërsa të kuqtë synojnë pikë të plota për të mos u kaluar nga Skënderbeu në krye të Superligës./abcnews.al

